Tiranë | PS shkon në referendum me 4 kushte

fatmir xhafaj

Këto pika përfshijnë heqjen e imunitetit, reformën në Drejtësi, ndalimin e importit të plehrave dhe ndalimin e marrëveshjes për cenimin e kufijve detarë të Shqipërisë. Lidhur me propozimin e Kryeministrit për mbajtjen e referendumit për heqjen e imunitetit, ai tha se Berisha përsëri gaboi, duke tentuar të shpëtojë gomonen e 6 gushtit, duke dalë mbi Kushtetutën, pasi ideja e referendumit është prej kohësh në qendër, duke shtuar se “të gjithë e kanë të freskët sjelljen e ushtarit të Kryeministrit, kamikazit Ristan, për kryerjen e referendumit për importin e plehrave, e mbështetur nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Referendumi është hedhur si alternativë edhe nga PS në rast të mungesës së amendamenteve që trajtojmë. Ai thotë se miratimi i amendamenteve në shtator është i vonuar, por ku shkoi kjo kauzë kur thotë për referendumin që kushedi kur bëhet”. Xhafa tha se ideja e referendumit është tërësisht absurde pasi opozita nuk është kundër për imunitetin, por se Kryeministri flet për një gjë që nuk ia lejon Kushtetuta, kur fton shqiptarët në një referendum për një çështje ku nuk ka kundërshtarë, me synimin të vjedhë sërish taksat e shqiptarëve, t’i rivjedhë nëpërmjet një procesi që kërkon miliona euro. Xhafa tha se edhe Partia Socialiste është dakord për mbajtjen e referendumit dhe i jep votat nëse në referendum përfshihen 4 çështje: Heqja e imunitetit, reforma në drejtësi (amendimet e PS), ndalimi i importit të plehrave dhe ndalimi i marrëveshjes për cenimin e kufijve detarë në Shqipëri. Ndërkohë Xhafa e cilësoi seancën e djeshme parlamentare si një seancë shterpë, të dështuar si dhe të provokuar e imponuar nga Kryeministri Sali Berisha. Ai tha se ndërsa gjatë punimeve të seancës opozita debatoi me argumente dhe fakte me qëllimin e vetëm reflektimin e përbashkët në funksion të klimës së bashkëpunimit dhe konsensusit, Kryeministri dhe Qeveria zgjodhën rrugën e forcës, të reagimit pa argumente me synim të fyerjes së kundërshtarit. “Berisha në funksion të strategjisë për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga hallet, provoi një debat shterpë për një çështje që nuk ishte çështje. Kuvendi u përdor nga shumica. Mosvotimi i djeshëm e la të hapur shansin që në përfundim të debatit amendimet të votohen si pjesë e një projekti të përbashkët edhe ato për kufizimin e imunitetit. Grupi ynë parlamentar e ka bërë të qartë pozicionin e tij pro amendamenteve që kufizojnë imunitetin e ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve, gjithë të tjera janë spekulime politike që nuk kanë pse meritojnë vëmendjen tonë”, u shpreh Xhafa. Sipas tij, Berisha është i shqetësuar nga amendamentet e Partisë Socialiste, pasi i presin hovin për të kontrolluar të gjitha pushtetet dhe funksionet kushtetuese në Shqipëri.  

Advertisement