“Pas 10 vitesh përpjekjesh të ndershme, të bëra në opozitë dhe në qeverisje, pasi u pranuan një për një të gjitha propozimet e PS-së, me qëllimin më të mirë që vendimi për heqjen e imunitetit të ishte një vendim konsensual, dhe megjithëse socialistët në seancën e parlamentit, në komisionin e Integrimit, në marrëveshjen e muajit nëntor, në të gjitha rastet kishin mbështetur heqjen e imunitetit, si një kërkesë kryesore për statusin e vendit kandidat, por dhe si kusht për një nivel të ri trasparence, z. Rama dhe klubi i miliarderëve nuk pranuan dje që të votonin atë projektligj të përgatitur në çdo nen, në çdo gërmë në konsensus të plotë dhe me propozimet e PS-së”, tha Berisha. “Rama mori përsipër përgjegjësi të paimagjinueshme të bllokojë për të tretën herë statusin e kandidatit, duke i thënë Europës, se unë nuk pranoj heqjen e imunitetit dhe se do e mbaj këtë mur si një mur imuniteti, i cili nuk lejon hetimin e lirshëm të zyrtarëve. Zyrtarët e BE na thanë: ‘bëhuni burra dhe tregoni se nuk keni frikë nga vetja juaj, hiqni imunitetin’. Shqiptarët tashmë do shprehen me referendum popullor, pavarësisht vështirësive, referendumi do bëhet sipas Kushtetutës, ndaj këshilli Legjislativ i Parlamentit të hartojë platformën për referendumin”, u shpreh Berisha. Sipas tij, kryetari i Partisë Socialiste dhe grupi i miliarderëve që drejtojnë partinë e tij, nuk lejuan grupin parlamentar të rrëzojë murrin e korrupsionit që rëndon çdo ditë mbi shpatullat e qytetarëve, më rëndë se pallatet e klubit të miliarderëve. Kryeministri theksoi se vendosmëria është e plotë për të ecur drejt konsultimit, pasi qytetarët do vendosim nëse zyrtarë do mbajnë apo jo imunitet me referendum. Ndër të tjera Kryeministri Berisha ka folur edhe për situatën në Siri, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ndihmuar refugjatët sirianë, që ndodhen në kushte mjaft të këqija pas përmbytjeve të fundit. “Ministria e Shëndetësisë të formojë ekipe mjekësore dhe t’u ofrojmë ndihmën mjekësore këtyre refugjatëve, të dërgojmë ekipe mjekësh, kirurgësh, deri në hapjen e një spitali fushor dhe të ofrojmë ndihmën tonë’, tha Berisha. Duke folur mbi veprimin e kryeministrit sirian, i cili dje denoncoi regjimin gjakësor të Asadit dhe u bashkua me forcat opozitare, Kryeministri Berisha u shpreh se “ky është një zhvillim mjaft i rëndësishëm dhe i rëndë në kështjellën e këtij diktatori që i ka ditët e numëruara. Ndërsa në përfundim të fjalës së tij duke folur për procesin e ndërtimit të HEC-eve Berisha u shpreh se janë me dhjetëra hidrocentrale në ndërtim e sipër, ndërsa 120 HEC-e të tjerë janë në procesin e marrjes së lejes apo në fillesat e tyre. “Sot numri i HEC-eve të ndërtuar ka arritur në 72, që prodhojnë së bashku 126 mega/ vat. Ndërkohë janë në ndërtim edhe 50 të tjerë, me kapacitet prej 557 mega/vat. Janë në proces të marrjes së lejeve dhe 120 të tjerë, që kanë një kapacitet prej 730 mega/vat, qartësisht më shumë se Fierza dhe Vau i Dejës të marra së bashku”, tha Kryeministri. Duke theksuar rëndësinë e tyre, Kryeministri tha se në këto procese ndërtimi janë punësuar mijëra shqiptarë, si një nga frontet kryesore të punësimit dhe si një arritje shumë e madhe.