Tiranë | Shpërndahen pagesat bonuse për performancë për personelin mjekësor

elvana hana

Hana tha në një konferencë për mediat se “në zbatim të politikave të Qeverisë, e cila e konsideron sektor prioritar atë të shëndetësisë, të Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe të kontratave që kemi me Qendrat Shëndetësore, do të shpërndahet duke filluar nga ky moment pagesa për performancë për personelin mjekësor për 6-mujorin e parë të vitit”. Duke paraqitur të dhënat e realizimeve, sipas të cilave do të bëhet dhe shpërndarja e pagesës shtesë për stafin e qendrave shëndetësore, Hana tha se ‘mbështetur në realizimin e treguesve për 6 mujorin e parë të vitit 2012, rezulton se 414 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë deri në një pagë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë’. Sipas saj, numri i planifikuar i vizitave nga mjeket e përgjithshëm e të familjes në shkallë Republike për 6/mujorin, është realizuar rreth 91.6 %, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 58 %. Pagesa për performancë do të bëhet në bazë të realizimeve përkatëse. Kështu, punonjësit e Qendrave Shëndetësore të rajonave të Tiranës, Vlorës, Dibrës, Korçës, Elbasanit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, do të kenë përfitime më të larta pasi kanë realizuar më mirë treguesit e cilësisë e performancës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave, ka nje rritje sidomos indikatori qe lidhet me ndjekjen e femijeve me rreth 4%, te semureve me hipertension me rreth 9% si dhe indikatori i edukimit ne vazhdim. “Qendrat shëndetësore kanë arritur të tërheqin rreth 22 milion lekë më shumë si rezultat i rritjes se numrit te vizitave, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit, kanë tërhequr 70 milion lekë më shumë”, tha Hana, sipas së cilës, për 6/mujorin e parë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth 320 milion lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të Qendrave Shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 janë mjekë familje dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë.  

Advertisement