Ky investim, me vlerë rreth 51 milionë lekë, do të përfundojë në fund të muajit shtator dhe do të sigurojë ujë të pijshëm për rreth 7500 banorë. Tabaku tha se Bashkia i qëndron përgjegjësisë që ka marrë ndaj qytetarëve, për të garantuar furnizimin e tyre me ujë të pijshëm. “Rreth 60 mijë qytetarë kanë përfituar nga investimi në Kodër–Kamëz dhe në Kodrën e Priftit, ndërkohë që sot, ky investim që Drejtoria e Ujësjellës–Kanalizimeve ka nisur, përfshin pothuajse 1200 familje. Investimi i cili ka një vlerë prej rreth 51 milionë lekësh, ka filluar në fillim të korrikut dhe do zgjasë rreth 3 muaj”, tha Tabaku. Ajo shtoi se në përfundim, rreth 7500 banorë të kësaj zone, do të kenë sistemin e përmirësuar të ujësjellës-kanalizimeve, një investim i cili do të jetë krahas investimeve të tjera që po zhvillohen në qytetin e Tiranës. Puna këtu, është organizuar me faza. Gjithashtu, Tabaku bëri të ditur se në momentin kur përfundon blloku i parë, krahas sistemit të vjetër, do të fillojë funksionimi menjëherë i sistemit të ri dhe nuk do të ketë asnjë mangësi në shërbimin e furnizimit me ujë, por çka është më e mira, është se në fund të rrugës “Besa”, mbi 100 familje që nuk kanë pasur asnjëherë ujë të pijshëm në banesat e tyre, falë këtij investimi do u mundësohet edhe ky shërbim. Nënkryetarja e Bashkisë përmendi dhe investime të tjera që do të realizohen në Njësinë Bashkiake numër 8. “Në këtë zonë do të ndërhyhet në rrugën “Pandi Stillo”, do i shtohet zonës një shkollë e mesme, në mënyrë që banorët e zonës të mos shkojnë në shkollat e mesme, në pjesë të tjera të qytetit. Me Delegacionin e Bashkimit Evropian, tek rruga “5 Maji” do të bëhet rikualifikimi urban i bllokut të banimit”, bëri të ditur Tabaku. Drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi ka sqaruar se projekti është planifikuar në 5 faza, për të 5 blloqet, në mënyrë që të mos ndërpritet furnizimi me ujë i banorëve gjatë zëvendësimit të rrjetit të vjetër, me atë të ri.