Tiranë | Kryeministri Berisha fton opozitën të votojë draftin për “imunitetet”

KM Berisha

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri hodhi poshtë kritikat se data 6 gusht, e planifikuar për të votuar në Kuvend ‘heqjen e imunitetit’, është vendosur në mënyrë arbitrare. “Kam një ftesë të re për zotin Rama për të votuar në 6 gusht projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. Dua të informoj shqiptarët se data 6 gusht nuk është një datë arbitrare, por e miratuar në Kuvend pa kundërshtim nga asnjë forcë politike dhe që detyrohet nga një nen, që është vendosur në rregullore nga PS e deputetët e saj”, tha kryeministri, duke komentuar zhvillimet e djeshme në Këshillin e Legjislacionit, ku opozita refuzoi të miratojë në tërësi draftin konsensual ‘për imunitetin’. Sipas Berishës, ky nen dikton procesin kushtetues, si procesi më serioz që ka një parlament dhe që është i përcaktuar në rregullore. “Neni i ardhur nga PS parashikon që raporti pas përfundimit, brenda 2 ose 3 javëve, duhet të votohet dhe kjo ka korresponduar me datën 6 gusht” theksoi Berisha, duke shtuar se nuk është maxhoranca ajo që përcakton datën, por neni i rregullores. Kryeministri nënvizoi se shumica bëri lëshime në draftin ‘për imunitetet’, duke marrë parasysh të gjitha kërkesat e PS-së. “Ne ishim për projektin e parë si më i miri, më i thelli dhe më i ploti, por ne nuk mund të themi se nuk kishte rrugë të tjera”, u shpreh Berisha, në mbledhjen e qeverisë.  

Advertisement