Tiranë | Fullani: sistemi bankar i sigurt

alt

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në takimin kombëtar “Për një sistem bankar të shëndetshëm”, që zhvilloi punimet në Tiranë, deklaroi se objektivi i Bankës Qendrore është rritja e besimit tek sistemi bankar dhe ruajtja e stabilitetit të treguesve makro-financiar. Sipas tij, bankat janë një zonë sigurie për të ardhurat. Njëkohësisht, duke u ndalur në veprimet aktive te bankave që operojnë në vendin tonë në trajtimin e kredive, Fullani kërkoi prej tyre që kreditë me probleme të pësojnë ulje. Gjithashtu, Guvernatori bëri me dije se bankat tashmë operojnë në treg me paketa kreditimi të sigurta për bizneset. Megjithatë, në vlerësimin e Guvernatorit Fullani, ruajtja e stabilitetit makroekonomik është me rëndësi për Bankën Qendrore. Duke iu referuar treguesve, ai tha se vitin e kaluar bankat e rritën kreditimin me 15.3%, shifër që Banka e Shqipërisë e vlerëson mjaft të kënaqshme, krahasimisht me vendet e tjera, por edhe në raport me rrethanat që po përjeton sot ekonomia europiane. “Pavarësisht një rritjeje të kredive të këqija në 18.9%, në fund të vitit 2011 bankat u përgjigjën më së miri duke krijuar fondet e nevojshme rezervë”, tha Fullani. Statistikat tregojnë se afro 52% e vlerës së kredive me probleme është e mbuluar me provigjione, th ai. Nga ana tjetër, edhe mbulimi i kredisë në tërësi me kolateral paraqitet mjaft i lartë. 76% e totalit të kredisë është e garantuar me kolateral, tha Guvernatori, duke nënvizuar se BSH-ja mbetet e angazhuar për ruajtjen e inflacionit dhe politikën monetare në parametrat e parashikuar.

Advertisement