Tiranë | Ku do të vendosen monumentet për 100 vjetorin e pavarësisë

alt

Monumenti i Pavarësisë do vendoset tek Parku ‘Rinia’, me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. “Ky vend plotëson të gjitha parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Komiteti miratoi vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit, ndërsa kërkoi që shtatorja e Ahmet Zogut të rishihet, ndërkohë që u përcaktua si vendvendosje sheshpushimi në fund të Bulevardit “Zogu I”. Monumenti për Kongresin e Lushnjes do të ngrihet në lulishten qëndrore të qytetit të Lushnjës pasi të shpallet fituesi. Edhe për monumentin e Ismail Qemalit, Komiteti Ndërministror kërkoi që të rishihet edhe pse ka përfunduar tashmë faza e dytë e dorëzimive të boceteve. Shtatorja e Ismail Qemalit do të vendoset në lulishten në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë do të jetë ai i realizuar nga Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas, ndërsa ende nuk është marrë vendimi për monumentin e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut si dhe Kongresin e Lushnjes. 

Advertisement