Tiranë | Kryeministri Berisha: gadishmëri për një sezon turistik dinjitoz

alt

“Përgatitja dhe gatishmëria e gjithanshme për të patur një sezon dinjitoz turistik është e rëndësishme”, tha Berisha, duke shtuar se, “për Shqipërinë, turizmi është një degë kryesore e ekonomisë dhe ekonomia mbetet më e rëndësishmja për një vend dhe një komb të lirë”. “Për shqiptarët që ishin të shkëputur nga rajoni, kontinenti dhe planeti për gjysëm shekulli, turizmi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për imazhin dhe njohjen e shqiptarëve nga mbarë bota”, tha Kryeministri. Pra të mos harrojmë, vijoi ai, “se ne ishim një vend i zhytur në terr të thellë dhe izolim”. “Ata që kanë pasur rastin të vizitojnë bregdetin e kanë gjetur më të mbushur se asnjëherë. Po ashtu dhe pikat kufitare. Ministria e Transportit dhe Punëve Publike dhe Drejtoria e Rrugëve të përmbushin në kohë çdo detyrim që vjen për transportin më të sigurtë të turistëve”, tha Berisha. Duke folur për zgjerimin e Tunelit tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Kryeministri theksoi se, ‘e rëndësishme është të bllokohet kalimi i kamionëve në këtë zonë. Rruga duhet t’u mbetet turistëve, autobusave dhe makinave, ndërsa kamionët të kalojnë pas orës 22:00, ose ta dinë që aty nuk mund të kalohet. “E rëndësishme është edhe puna tek doganat”, tha Berisha, duke shtuar se, “Ministria e Brendshme duhet të marrë masat për të garantuar në të gjitha skajet e vendit, rregullin dhe qetësinë”. “Është e domosdoshme të shqyrtohet një ripozicionim i postave të policisë. Nëse dikur mbahesin posta për të ruajtur kufirin, tani duhen posta për të ndihmuar turistët. Të kemi ekipe shëndetësore dhe policie që të pozicionohen në zonat që janë më shumë të populluara”, u shpreh kreu i qeverisë. Përsa i përket ndihmës së shpejtë, Berisha kërkoi që Ministria e Shëndetësisë duhet që krahas gatishmërisë së helikopterëve, të ketë ekipe të ndihmës së shpejtë dhe në skajet më të larta ku shkojnë turistë. Të bëjmë gjithçka për sigurinë e tyre, për ndihmën më të shpejtë të mundshme, nëse do të kenë nevojë”. Sipas Kryeministrit, turizmi përbën në këtë sezon sektorin më kryesor të punësimit. “Turizmi shqiptar punëson rreth 170 mijë vetë në sezonin turistik, në të gjithë vendin. Ky punësim përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Këta kryesisht janë të përkohshëm, studentë apo të rinj që me fitimet që nxjerrin lehtësojnë barrën e familjeve për vitin që vjen në shkolla. Ndaj dhe duhet t’i japim përparësi rekrutimit të të rinjve në këto vende, sepse edhe shërbimet i kryejnë më mirë, por edhe plotësojnë një nevojë reale”, tha Berisha. Natyrisht, vijoi Kryeministri, “nuk punësohen vetëm të rinjtë”. “Dyfishimi i popullatës gjatë verës është dyfishimi i tregut dhe shumë punojnë në funksion të zonave turistike. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv, sepse faktikisht krijon një hapësirë të madhe për shitjen e produkteve të tyre”, theksoi kreu i ekzekutivit. Sipas Kryeministrit, “sezoni turistik, është një rast që bashkitë dhe komunat me të ardhurat që krijohen, të punësojnë dhjetra e qindra punonjës të përkohshëm, para së gjithash dhe mbi të gjitha për pastrimin e territorit. Të bëjmë gjithçka që në këtë sezon turistik, Shqipëria të paraqitet më e pastër se asnjëherë. Inspektoriati i mjedisit, inspektoriati i shëndetit publik, të gjitha agjencitë, të marrin masa për denoncimin për ndjekje penale, për të gjithë ata që kryejnë krime ndaj mjedisit”. “Zyrat e turizmit në rrethe duhet të jenë të hapura, të promovojnë potencialet turistike dhe të jenë në ndihmë të turizmit. Të bashkëpunojnë ngushtë me agjencitë turistike”, tha Berisha. “Pra kjo verë, ky sezon duhet të jetë sezoni më i bukur turistik dhe më masivi në historinë e vendit. Kam shumë besim se të gjitha mundësitë ekzistojnë. Janë bërë investime kolosale në infrastrukturën rrugore dhe ujore për turizmin. Kërkohet nga ne që gjithçka ta vëmë në dispozicion të një mikpritje të shkëlqyer të një sezoni shembullor. Të kujdesemi për një qëndrim të ri ndaj turizmit malor, sepse fluksi drejt alpeve është më i madh se asnjëherë tjetër”, deklaroi Kryeministri Berisha.