Tiranë | Rrushaj: opozita kërkon të përbaltë procesin e lotarisë kombëtare

alt

Në një konferencë për shtyp, zv/ministri i Financave Rrushaj theksoi se , “opozita kërkon ta përbaltë këtë proces duke akuzuar ende pa u bërë tenderi”. “Në mënyrë të përditshme vetë kreu i opozitës apo në mungesë të tij tellallët e tij vijojnë presionin ndaj administratës, ndaj komisionit që po merret me procedurat e garës dhe e akuzojnë për një vendim ende të pamarrë vetëm e vetëm se klienti i tij nuk plotësoi kushtet e garës”, tha Rrushaj. Për këtë arsye, ai sqaroi rreth procesit dhe në mënyrë të veçantë rreth asaj që dje është bërë objekt diskutimi i një keqinformimi me dashje të opinionit publik. “Deklaratat se konsulenti që ka rekomandimet dhe kriteret teknike është zgjedhur dy muaj përpara, janë një shpifje që e kalojnë atë të zakonshmen”, u shpreh Rrushaj, duke shtuar se ky nuk është vetëm një mashtrim, sepse po të ishte i tillë do të ishte i padëmshëm, por është një shpifje që e kalon atë të zakonshmen. Zv/ministri Rrushaj informoi opinion publik se, në bazë të ligjit të vendit që përcakton e rregullon këtë sektor, Këshilli i Ministrave kishte detyrimin që të përcaktonte kriteret dhe procedurat për licensimin e Lotarisë Kombëtare”.