Tiranë | PS lëvizje për të komunikuar me shqiptarët

rama

“Brenda kohës së mbetur nga sesioni parlamentar, çdo deputet të ketë komunikim në çdo zonë të vendit, me strukturat, përfaqësuesit nga çdo qendër votimi për të folur e dëgjuar. Aleati ynë është zëri i të ardhmes, fara e shpresë që duhet ta mbjellim në çdo shtëpi shqiptare, zemra e popullit opozitar që duhet ta bëjmë të rrahë fort përmes trokitjes sonë për një Rilindje shqiptare. Duhet të bëjmë që asgjë të mos duket e pamundur për çdo shqiptar që do ndryshimin. Ky është një mision patriotik, të cilin do e nisim nga vetja, duke rrezatuar besnikëri e solidaritet”, tha Rama në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist. Ai theksoi se PS për të fituar zgjedhjet vitin e ardhshëm ka vetëm fuqinë njerëzore që duhet të mblidhet, fitohet e bashkohet. Kryetari i PS-së akuzoi qeverinë se ka nisur një fushatë shpifjesh dhe përbaltjesh për opozitën. “Motoja e sotme e qeverisë është se fajin e ka opozita që shqiptarët nuk kanë punë, nuk kanë fuqi blerëse e nuk kanë shtet. Sot në vigjiljen dramatike të humbjes së statusit kandidat në BE fajin sërish e ka opozita. Kjo rapsodi e vrazhdë që këndohet në çdo skenë përçohet përmes zërave të dëshpëruar që tek opozita e gjejnë fajin për gjithçka. Kundërshtari im ka një strategji të lexueshme, nuk ka mundësi të tregojë duart e pastra, duart e tyre janë të zhytura në korrupsion dhe këtë e tregojnë raportet e ndërkombëtareve”, shtoi Rama. Gjithashtu, kreu i PS-së, iu referua sërish Lotarisë Kombëtare, duke kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode. “Lotaria Kombëtare është një padrejtësi e madhe, me qëllim kthimin në një mekanizëm për të rritur fitimet e kryeministrit dhe ministrit të Financave, i cili është një spekulator që duhet të japë dorëheqjen. Lotaria Kombëtare është shembulli më i pastër i korrupsionit, është pabesi ndaj qytetarëve”, theksoi Rama.