“U bënë 21 vite që ne jemi bashkë. U bënë 21 vite që ne së bashku përpiqemi me atdhedashuri e përkushtim që ta transformojmë Shqipërinë tonë në një vend të merituar e të denjë europian. Ju bëj thirrje të dashur socialistë që ne të vazhdojmë të ecim bashkë, të fitojmë bashkë e ta qeverisim dhe transformojmë Shqipërinë bashkë. Unë jam tashmë para jush i gatshëm për t’u udhëhequr drejt fitoreve të reja”, shprehet Nano. Sipas ish-kreut socialist, i vetmi që e ndan atë sot nga socialistët është vetëm “ai njeri që e quan veten Kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës”, thekson Nano. “Unë prej muajsh i ofrova Edi Ramës dorën e bashkëpunimit dhe bashkimit, por Edi Rama e refuzoi me këmbëngulje. I kërkova të kalonim nga zona e mosmarrëveshjeve tek zona e marrëveshjeve për të mirën e socialistëve dhe Shqipërisë, por Edi Rama përsëri refuzoi”, thekson Nano. “Unë prej muajsh e javësh u përpoqa t’i tregoja e ta këshilloja Edi Ramën se së bashku mund të nisnim një kohë të re të bashkimit të së majtës, duke fituar betejën e parë që kishim në radhë, por Edi Rama refuzoi e refuzoi. Unë kërkova mbështetjen dhe mirëkuptimin e Edi Ramës që së bashku ta fitonim garën Presidenciale për t’u dhënë shqiptarëve Presidentin më të mirë”, vijon ish-lideri socialist. Por, thekson Nano, “Edi Rama më refuzoi mua, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës. Edi Rama humbi. Por me këtë humbje të radhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët”. Sipas Nanos, “ky paloKryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga Qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse Kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të”. “Pas darkës së Gjirit të Lalzit, nëse ka patur një njeri që Qeveria e ka përdorur dhe tallur keqazi, ky është Edi Rama. Edi Rama ne darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën ka këmbëngulur vetëm tek një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën Qeverisë. Sot President është zgjedhur Ministri i Brendshëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur, për shkak të Edi Ramës. Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej Qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për t’u bërë Kryeministër”, shprehet Nano. Nano rithekson edhe njëherë mirëbesimin e tij dhe i bën thirrje Partisë Socialiste, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS, Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të PS, që në këto momente kaq të rëndësishme për fatet e Shqipërisë të bëhen dalëzotsa, të rigjejnë dinjitetin, të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur. “Të nderuar deputetë të Partisë Socialiste ngrihuni përtej limbos së Kryetarit aktual Edi Rama, dhe bëjeni Partinë Socialiste dhe Shqipërinë fituese me Fatos Nanon. Sistemi humbës që ka instaluar Edi Rama duhet shembur dhe ndryshuar. Të bëhemi bashkë që të fitojmë bashkë!”, përfundon deklaratën e tij Fatos Nano.