“Sfida me të cilën përballet Shqipëria në çështjet mjedisore, që duhet të kthehet dhe në një çështje kombëtare, është kujdesi që duhet të tregojmë për të menaxhuar mbetjet tona”, tha ministri i Mjedisit Fatmir Mediu. Duke folur për çështjen e menaxhimit të mbetjeve, Mediu përmendi një sërë hapash të ndërmarrë në këtë drejtim. “Kemi përfunduar dhe miratuar ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, tha Mediu. Ligji, sipas tij, është konceptuar si një ligj integral për menaxhimin e mbetjeve në disa kuptime: në kuptimin që mbulon si mbetjet e rrezikshme dhe ato jo-të rrezikshme. “Gjithashtu ligji mbulon të gjithë ciklin e përpjekjeve për menaxhimin e tyre duke filluar që nga parandalimi i tyre, gjenerimi, ndarja në burim sipas rrymave, grumbullimi, transporti, përpunimi, ri-përdorimi, riciklimi, rikuperimi, asgjësimi në landfill apo përmes incinerimit, por edhe për faktin se krijon mundësinë që gjithë infrastruktura e ardhshme e mbetjeve do të ngrihet në zbatim të këtij ligji dhe të akteve nën-ligjore që po hartohen, do të mbështeten në të duke dizenjuar një rrjet i tëre menaxhimi të mbetjeve”, tha Mediu. Ministri i Mjedisit theksoi se zvogëlimi i presionit mbi mjedisin nënkupton jo vetëm reduktimin e mbetjeve që ne gjenerojmë, por gjithashtu mënyrën se si ne mendojmë për shfrytëzimin e burimeve. “Ne duhet të njohim vlerën e të gjitha burimeve, përfshirë tokën, ajrin dhe ujin që ne akoma i përdorim si vende për të hedhur mbeturinat.