Kryeministri theksoi se “zgjedhja e Kryetarit të Shtetit është proces i një rëndësie shumë të madhe për vendin dhe deri tani janë bërë përpjekjet më të mëdha për të respektuar Kushtetutën e vendit. Është dëshmuar qartë, në mënyrë të kristaltë nga mazhoranca, se ka krijuar frymën dhe kushtet për një votim të gjerë konsensual në parlament”. “Unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj adrenalinën që kalon tek politikanët në këtë periudhë, por vlerësoj shumë dhe mirëkuptimin që tregoni se ky do jetë një proces sa më i gjerë i mundshëm. Në këtë frymë duhet t’u them se konsultimet janë të pandërprera, qoftë mes aleatëve në mazhorancë, qoftë me opozitën”, tha Kryeministri, duke shtuar se, në këtë kuadër u zhvillua takimi në Kryesinë e Kuvendit, me z. Rama dhe z. Ruçi, ku “mendoj se u shprehën gjerësisht pikëpamjet dhe qëndrimet e palëve në ekspozenë tonë në këto takime”. Edhe një herë, vijoi Berisha, “ne argumentuam vendosmërinë tonë për të ecur me një ujdi më të gjerë të mundshme dhe në këtë kontekst ne dolëm jashtë fushës politike, e cila në meritë duhet të ishte e para, por në problemin që krijon për konsensusin ajo nuk mund të jetë e para”. Duhet të jeni realist, iu drejtua Kryeministri deputetëve të PD-së, se “nuk mund të ftosh opozitën dhe ajo të të ftojë ty që të konsiderohen të votojnë kandidatura të fushës dhe backgroundit të mirëfilltë politik”. “Nëse është fjalë për konsensus, procesi këtë kërkon, sinqeritet, seriozitet, transparencë, ajo çka spikat në përzgjedhjen tonë është një vlerësim pozitiv, i qartë, për kandidaturën e përzgjedhur. U përpoqa të argumentoj se mbështetja që i japim kësaj kandidature është një mbështetje jo partiake, sepse nuk ka qenë asnjë ditë pjesë e PD. Është një personalitet me karrierë të gjatë, pedagog universiteti. Me qindra e qindra juristë shqiptarë kanë dalë prej tij”, tha Kryeministri, duke iu referuar kandidatit të mazhorancës, z. Xhezair Zaganjori. “Preokupimi ynë duhet të jetë një proces plotësisht thellësisht kushtetutes. Besoj se jeni dakord që karrigia e Presidentit është posti i parë i shtetit. Me këtë dua të them që nuk mundet që të shkoj ose të kërkoj poshtë për të zgjedhur personin, do shkoj më lart. Në këtë kontekst ju garantoj se theksova në takim se ne do të bëjmë vlerësimin e kandidaturës të paraqitur nga PS, natyrisht duke vlerësur se kandidati i përzgjedhur meriton të gjithë mbështetjen tonë të plotë”, tha Berisha.