Pas një takimi të shkurtër kryetari i deputetëve të PS-së, e konsideroi kandidaturën e shumicës ‘të njëanshme’, e cila sipas tij vjen jo si fryt i “dialogut të mazhorancës me opozitën, por si monolog të saj me aleatët”. “Ishim në pritje të një përgjigje lidhur me kërkesën tonë të bërë në tavolinë e parë ku kërkuam të institucionalizohej një tryezë e krerëve të partive parlamentare dhe ku t’i jepnim zgjidhje katër çështjeve që kemi komunikuar. Por, në takimin e sotëm, i cili nuk ishte takim për të negociuar, por për të njoftuar se mazhoranca e paska vendosur kandidatin e saj në mënyrë të njëanshme. Parë në këtë këndvështrim kuptohet se nuk ishte negociatë, nuk është një zgjidhje për t’i kërkuar opozitës mendimin, gjykimin dhe vlerësimin e saj për atë proces që ne kemi kërkuar dhe që vazhdojmë ta kërkojmë për t’i dhënë një zgjidhje problematikës politike që ka vendi, por ky është një qëndrim i njëanshëm i pozitës, e cila në vend të bënte dialog dhe të kërkonte konsensusin tek opozita zhvilloi një monolog me aleatët e saj politikë”, tha Ruçi pas takimit. I pyetur nëse opozita do të marr pjesë në votim, ai u përgjigj se “do të presim çfarë do të ndodhë në seancën e parlamentit, nëse do të ketë apo jo një votim dhe nëse do të paraqitet ose jo një kandidat nga maxhoranca”. “Ende vazhdoj të shpresoj seë maxhoranca do i bëjë thirrje koshiencës së saj politike për t’i dhënë vendit një president konsensual përmes një procesi politik dhe moral”, shtoi Ruçi.