Pas një takimi prej më shumë se një orë të zhvilluar me kreun e PS-së, Edi Rama, Dule duke folur për mediat tha se “ne kemi propozuar dhe do t’i qëndrojmë kandidaturës së z Nano dhe se do të jemi pjesë dhe kontribut i procesit konsensual dhe kategorikisht do të jemi kundër çdo veprimi të njëanshëm, siç mund të jetë ai i një kandidature nga maxhoranca”. “E kemi si detyrim ndaj proceseve integruese të vendit tonë. E kam fjalën për procesin që të gjithë bashkarisht të nisim për zgjedhjen e presidentit të Republikës, si dhe konsensusin që duhet të arrihet, siç e kërkon edhe procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian për reformën zgjedhore. PBDNJ është në frymën e procesit, i cili karakterizohet nga konsensusi”, theksoi Dule. Ai vuri në dukje se nëse komisioneri i ngarkuar për çështjet e integrimit në BE thekson si të rëndësishme dhe jetike domosdoshmërinë e përmbylljes së reformës zgjedhore deri me 24 maj, atëherë ne duhet të vëmë alarmin për të realizuar të dyja këto procese. “Janë momente kur koha historike është e ngjeshur dhe detyrimeve në kohëra të tilla iu përgjigjesh vetëm me vullnet politik dhe veprime konsensuale në asnjë rast të njaënshme dhe duke vënë interesat e vendit, shoqërisë dhe qytetarëve mbi ato partiake”, nënvizoi Dule.


