Ministrja Bregu konfirmoi se mazhoranca ka shprehur vullnetin që të pranojë çdo ndryshim që përputhet me rekomandimet e OSBE- ODIHR-it si dhe rregulloren e Parlamentit Europian. Nisur nga kjo, ministrja Bregu theksoi se pavarësisht se votimi me zarf nuk është një proçedurë e zakontë në Parlamentin Europian, mazhoranca është e gatshme ta pranojë edhe për zgjidhjen e Presidentit të ri, si shprehje kjo e vullnetit për të përmbyllur reformat e përbashkëta, e për të çuar përpara proçesin e integrimit të vendit në BE. Në konferencën për shtyp në përfundim të takimit, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, duke e konsideruar si një takim konstruktiv, kërkoi nga partitë politike në Shqipëri që të bashkëpunojnë për përmbylljen e reformave, përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. “Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar në përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politike në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj”, u shpreh Fyle. Ai vuri në dukje progresin e arritur nga Shqipëria sa i takon reformave, por, sipas tij, duhet më shumë punë në përmbushjen e 12 prioriteteve të kërkuara nga Bashkimi Europian.


