Sipas njoftimit për shtyp të PS-së, kryesocialisti Rama, pasi vlerësoi kontributin e rëndësishëm të BE-së për proceset integruese të Shqipërisë, e informoi Komisionerin për ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore, duke vënë në dukje rëndësinë e përfundimit të tyre brenda afateve të kërkuara. Kryetari i PS-së renditi një sërë çështjesh që mbeten për t’u adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median. Ai rikonfirmoi angazhimin e PS-së për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë. Komisioneri Fyle e përgëzoi kryetarin socialist për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita në ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por dhe për rajonin. Rama e informoi gjithashtu Komisionerin Fyle për qëndrimin e PS-së lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Komisioneri Fyle e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen evropiane të vendit tonë.