Tiranë | Kryetarja e Kuvendit dënon dhunën e ushtruar në seancë plenare

alt

“Kjo dhunë e organizuar dhe e qëllimshme është dhunë ndaj parlamentit, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. Për këtë arsye Kryetarja e Kuvendit shpreh mospajtimin e saj të hapur dhe publik me këtë shfaqje të shëmtuar dhe i bën thirrje Grupit Parlamentar të PS të analizojë me përgjegjësi veprimin dhe t’i kthehet parlamentit dhe shtetit ligjor”, thekson Topalli. Sipas Topallit socialistët me urdhër të kreut të grupit parlamentar kishin si qëllim bllokimin e procedurave të votimit në seancën e sotme parlamentare. “Në seancën e sotme parlamentare, sipas pikës së rendit të ditës për votimin e anëtarit të KLD, nisi procedura në përputhje me Rregulloren e Kuvendit e votimit te fshehtë dhe me kuti, për dy kandidaturat alternative të paraqitura sipas vullnetit konsensual të dy palëve. Procedura e votimit të fshehtë me kuti, parashikon se sekretariati i votimit, administron procesin me fuqi të plota. Ai administron fletët e votimit të cilat vulosen dhe firmosen nga të gjithë anëtarët përpara se t’i dorëzohen secilit deputet që kryen procedurat e votimit. Votimi kryhet individualisht në dhomën e fshehtë të ngritur për këtë qëllim. Kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet parlamentarizëm kur çdo deputet voton brenda parlamentit, kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet demokraci, kur çdo shqiptar voton në zgjedhje. Për herë të parë sot, grupi i opozitës dhunshëm kërkoi të ndryshoheshin këto procedura, kërkoi që t’i rrëmbente kompetencën sekretariatit të votimit dhe procesi i votimit të administrohej sipas urdhrave që Gramoz Ruci i merrte me telefon. Në këtë akt dhune, Gramoz Ruci, pasi konsumoi kërcënimet për bllokim të votimit, rrëmbeu fletët e votimit për të mos lejuar votimin me fletë. Në këtë situatë, Parlamenti, në përputhje me Rregulloren procedoi me votimin e fshehtë me elektronikë”, nënvizon Topalli.

Advertisement