“Për herë të parë në historinë e vet, vendi në këta tregues themelor të jetës së një shoqërie renditet në vendet me vdekshmërinë foshnjore një shifror”, theksoi Berisha. Ai shtoi se ulja e vdekshmërisë foshnjore është rezultat i zhvillimit të gjithanshëm të vendit. “Asgjë nuk shpreh më shumë se kjo renditje shkallën e zhvillimit ekonomik dhe social, gërshetimin e këtij zhvillimi. Shqipëria për fatin e keq të saj ka pasur nivele afrikane të vdekshmërisë, ndërkohë sot ka një mortalitet infantil një shifror, kjo është arritje për vendin.” Sipas kryeministrit kjo arritje është rezultat i zhvillimit të gjithanëshëm si dhe dëshmi e një sistemi të kujdesit shëndetësor efikas. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se edhe treguesit e vdekshmerisë së nënave në lindje janë të kënaqshëm, duke lënë mbrapa një grup të tërë vendesh të zhvilluar. Kreu i qeverisë u ndal tek investimet në këtë sektor dhe veçanërisht tek shërbimi falas për nënat shtatzëna. “Tregues për vdekshmërinë amëtare është ulur. Për herë të parë vendi ynë arrin këta tregues themelorë të jetës, duke u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara”, tha Berisha. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria renditet në vendin e tretë për sa i përket aksesit në shërbim shëndetësor më të lehtë se të gjitha vendeve të tjera duke pasur vetëm 2 vende përpara. Sipas tij është me rëndësi që të ruhet ky tregues pozitiv dhe të investohet në institucione rajonale, në laboratore dhe në çdo tjetër. Kryeministri tha se Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë, ku spitalet qëndrojnë të hapura për çdo kënd, i pasur apo i varfër qoftë ai.