Në këtë vizitë, ministri Olldashi u ndal mes të tjerash tek rëndësia që paraqet ky investim për zhvillimin e turizmit gjë që, sipas tij, do të shoqërohet me rritjen e efiçensës për të gjithë ata që do të zgjedhin Vlorën këtë sezon veror, si dhe për vetë qytetarët vlonjatë. Sipas tij, ky objekt do të jetë në funksion të plotë në datën 1 qershor, ndërkohë që puna aktuale do të përfundojë brenda muajit maj. “Me sa duket kanë mbetur dhe 5 metrat e fundit dhe për këtë dua të përgëzoj kontraktorët”, theksoi ministri Olldashi, ndërkohë që shtoi se, cilësia e shkëmbit ka qenë shumë e dobët, gjë që e ka bërë të rrezikshme punën për ndërtimin e tunelit. “Ky projekt është shumë i rëndësishëm për qytetin e Vlorës dhe po ashtu për turistët, pasi do të eleminojë problemet e trafikut në këtë zonë”, nënvizoi ai. Sipas Olldashit, shumë shpejt do të nisë një projekt tjetër shumë i rëndësishëm për Vlorën, “By-pass”-i që do të lidhë qytetin me bregdetin e Rradhimës, ndërkohë që ai do të pasohet brenda një kohe të shkurtër nga investimi për ndërtimin e nyjes lidhëse të autostradës Levan-Vlorë me rrugën “Transballkanike.