Në një prononcim për mediat Vollfarth u shpreh se, “koha që ka mbetur nuk është shumë e gjatë, deri në fund të prillit, dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishmë që koha të përdoret më së miri dhe të krijohet një klimë e mirë dhe konstruktive brenda komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Në këtë kuadër Vollfarth shtoi se numërimi elektronik mund të funksionojë por duhet besimi i palëve. “Përsa i përket numërimit elektronik mendoj që mund të jetë efikas dhe kjo varet nga sistemi që do të zgjidhet. E rëndësishme dhe diçka që nuk mund të zëvendësohet është besimi që njerëzit duhet te kenë në këtë sistem”. I pyetur rreth zgjedhjes së presidentit dhe nëse zgjedhja duhet të bëhet me konsensus mes palëve përderisa me sistemin aktual mazhoranca mund ta zgjedhë vetëm me votat e saj, kreu i OSBE-së në Tiranë tha se Kushtetua e ofron zgjidhjen. “Kushtetuta aktualisht e lejon zgjedhjen e presidentit vetëm me votat e mazhorancës, por unë mendoj që është e rëndësishme që të përdoret sa me mirë koha që ka mbetur për të zgjedhur një kandidat ose kandidatët e përshtatshem”, tha Vollfarth. Vollfarth tha se është shumë i rëndësishëm miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, pasi është një institucion, i cili do të ndihmojë shumë bizneset dhe zgjidhjen e konflikteve administrative në vend. Vollfarth tha se do ta përshëndeste me shumë kënaqësi arritjen e konsensusit nga pozita dhe opozita.