Tiranë | Kryeministri Berisha: moratoriumi për skafet nuk do të shfuqizohet

BERISHA-GRUPI-PD

“Grupi parlamentar i PS-së ka depozituar një pr/ligj me të cilin kërkon shfuqizimin e ligjit nr. 5909 të vitit 2006 “për shpalljen e moratoriumit të skafeve”. Duke shprehur respekt për nismën, që dëshmon për qëndrimin e tyre luajal ndaj parlamentit, më duhet të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme për arsye se vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut”, tha kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-s. “Kjo, vijoi kryeministri, nuk mund të ndodhë dhe do të ishte e papranueshme për luftën e Shqipërisë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”. “Kohërat e skafeve kanë marrë fund ndaj dhe duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet. Mazhoranca është e vendosur ta mbajë atë. E kuptoj që rëndom përdoret argumenti se po pengon turizmin, por unë nuk dua t’i lidh skafet me turizmin, pasi në periudhën e moratoriumit të skafeve turizmi u rrit me 10-12 herë. Ndaj të mos përdorim argumenta që nuk qëndrojnë”, tha kryeministri Berisha. Ndër të tjera kryeministri Sali Berisha tha se në prag të sezonit turistik Shqipëria po shfaq gjithnjë e më shumë interes botëror si destinacion pushimesh. “Jemi përballë sezonit turistik dhe ka një interes botëror në rritje për të kaluar pushimet dhe vizituar Shqipërinë. Çdo ditë në mediat serioze të fushës ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes së pashembullt e pasurive të mëdha kulturore e historike që ofron Shqipëria”, tha kryeministri. Në funksion të këtij qëllimi Berisha i bëri thirrje deputetëve të PD-së që të bëjnë gjithçka për suksesin e nismës mjedisore “Për një Shqipëri të pastër’, më 20 prill. “Kjo nismë në radhë të parë duhet t’i shërbejë vetëndërgjegjësimit tonë mbi rëndësinë jetike për një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit. Asgjë nuk nxin në këtë vend, që ka marrë një zhvillim të gjithanshëm, se sa prania e plehrave të shpërndara në mënyrë shumë të shëmtuar. Ndaj do kërkoja nga ju, në bashkëpunim me qeveritë vendore, të marrim çdo masë që më 20 prill ta bëjmë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë e saj. Asgjë nuk e dëmton më shumë shëndetin tonë, por dhe imazhin e vendit, se sa kjo shpërkujdesje e pafalshme në trajtimin e plehrave në këtë vend”, nënvizoi Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

Advertisement