Shkodër | Përkujtohen dëshmorët e rënë në protestën antikomuniste ’91

alt

Me këtë rast në sheshin “2 Prilli”, pikërisht në memorialin që i kushtohet heronjve të demokracisë, në prani të pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora me lule nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, deputetët e Partisë Demokratike, shoqata antikomuniste “2 Prilli”, si dhe shoqata dhe parti të tjera të djathta. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, shprehu nderimin e thellë dhe përuljen përpara veprës së Dëshmorëve të Demokracisë për vokacionin e tyre të paepur për liri dhe demokraci, të cilët për këto vlera perëndimore sakrifikuan edhe jetën e tyre. “Padyshim që në historinë e një vendi ka ngjarje historike të mëdha, por ka disa ngjarje të cilat shënojnë kthesa të rëndësishme në historinë e popullit dhe kombit”, theksoi Topalli duke shtuar se, sakrifica e katër djemve shkodranë, të cilët u vranë përpara ish-komitetit të Partisë së Punës së asaj kohe, ishte një gur i rëndësishëm mbi të cilët do të ngrihej dhe do të ndërtohej demokracia shqiptare. “Në këtë 21-vjetor dhe në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, kjo datë është padyshim data që ka shënuar kthesë të rëndësishme në historinë tonë, për pluralizmin dhe demokracinë që ne sot jetojmë”, u shpreh Topalli. Ajo tha se, “është një moment në të cilin ne duhet të reflektojmë, aq më tepër kur mendon se qoftë edhe dje në një hartim të tij, Rama që bën çdo ditë ciu-ciu në Tuitter-in e tij, fliste për të përndjekurit, tamam siç fliste Nexhmije Hoxha 10 ditë më parë. Gramoz Ruçi, thotë se nuk jam Gramoz Ruçi, Ministri i Brendshëm që urdhëroi ekzekutimin e këtyre katër të rinjve, 21 vite më parë. Edvin Rama thotë se nuk jam djali i Kristaq Ramës, i cili firmosi për varjen e poetit Avzi Nela, Fehmi Abdiu thotë se nuk eshte ai që firmosi me dorën e tij ekzekutimin e Avzi Nelës dhe kështu me radhë të gjithë”.

Advertisement