Gjatë një takimi me prefektët dhe kryetarët e qarqeve, Kreu i Qeverisë u ndal te dy çështje themelore, shtrirja e internetit falas në të gjithë territorin e vendit dhe adaptimi i një qëndrimi të ri në trajtimin e mbetjeve. Sipas tij, “zgjidhja e këtyre problemeve kërkon angazhimin më serioz të të gjitha strukturave të qeverisjes vendore”. Duke bërë një paraqitje të arritjeve të deritanishme në kuadër të nismës “Shqipëria dixhitale”, Berisha tha se gradualisht që prej vitit 2005, ne po instalojmë shërbimet më të shkëlqyera dixhitale për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të garantojmë transparencën më maksimale”. Ai theksoi se, në sajë të politikave të ndjekura përqindja e përdorimit të internetit është sot mbi mesataren e vendeve anëtare të BE-së. “Me vendimin për internet me bandë të gjerë, përdorimi i internetit është rritur 18 herë nga viti 2007 deri në vitin 2011. Por ky është një horizont që kërkon të vraposh, ndaj dhe ne duhet të ndërmarrim politika agresive që lejojnë konsolidimin e përdorimit më të gjerë të internetit nga qytetarët shqiptarë”, tha Berisha. Sipas tij, “çmimet aktuale me të cilat ofrohet interneti në Shqipëri, janë çmime absolutisht jashtë çdo standardi dhe kostoje, por qeveria duke respektuar plotësisht tregun dhe liritë e tij, po merr të gjitha masat t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë masivisht internet falas ose me çmim më të ulët”. Në këtë drejtim, Berisha kërkoi angazhimin maksimal, që përveç ofrimit të internetit falas në zyrat postare të hapen edhe 1200 pika të tjera në mbarë vendin. “Është në detyrimin e prefektëve dhe kryetarëve të qarqeve që të bëjnë gjithçka për të gjetur ambientet e pështatshme për të siguruar internet me bandë të gjerë falas për çdo përdorues. Unë kërkoj që në një afat kohor 2 mujor, të krijohen mundësitë për internet falas në çdo fshat dhe komunë të këtij vendi ku nuk ka zyrë postare”, tha Berisha, duke kërkuar që të bëhet çdo përpjekje, që Shqipëria të jetë de facto vendi që ofron internet falas. Sipas tij, teknologjia e lartë është faktuar në të gjithë botën se është shndërruar në një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike ndaj dhe vlerësimi duhet të jetë maksimal.