Tiranë | Debate Ruci-Topalli për vendin e deputetes Seseri

alt

Kryetari Ruçi kërkoi që para votimit të vendeve vakante në AK parlamenti të plotësojë më parë mandatin e deputetit të PS-së që mbahet peng në kundërshtim me rregulloren, ndërkohë që kryeparlamentarja Topalli rastin e deputetes Seseri e cilësoi ‘unik”, për shkak të mungesave përgjatë dy viteve në Kuvend. “Po mbani peng vendin vakant të një deputeti të opozitës për katër muaj me radhë, pa asnjë arësye dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën”, u shpreh Ruçi. Nga ana e saj kryetarja Topalli duke sqaruar çështjen e mandatit të deputetes Seseri, e konsideroi atë një rast unik. “Në eksperiencën time parlamentare është një rast unik kur një deputete në dy vite rresht vjen për të votuar vetëm në fund të 6-mujorit”, tha Topalli. Ajo i kërkoi kryetarëve të dy grupeve të mëdha në Kuvend që të caktojnë kohën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Me konsensus u ra dakord që ky Këshill të mblidhet të hënën (ora 12:00). Ndërsa sa i takon debatit për plotësimin e vendeve vakante në AK, kryetarja e Kuvendit tha se krerët e grupeve e dinë për vendet vakante që janë në institucionet e pavarura. “Kanë pasur dhe dokumentet mbi çdo rast dhe në fakt kam pritur propozimet nga palët, që në fakt kanë munguar, ndërkohë që para pak ditësh kanë ardhur nga maxhoranca. Kohë keni pasur sa të doni”, tha Topalli.

Advertisement