Tiranë | Ministri Nishani raporton luftën kundër krimit, opozita: shifrat jo reale

alt

Kreu i ministrisë së Brendshme Nishani, e konsideroi të sukseshme luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike duke theksuar se, gjatë vitit 2011 në përgjithësi të gjithë treguesit për luftën kundër trafikut të narkotikëve kanë patur rritje të konsiderueshme”. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë evidentur 653 raste të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve dhe janë proceduar 962 persona, nga të cilët 729 të arrestuar. Ndërkohë, janë sekuestruar 21 kg heroinë, 2 kg kokainë dhe rreth 8000 kg mariuanë. Krahasuar me të njëjtën periudhë është shënuar një rritje me 22.5% e rasteve të kapjes së lëndëve narkotike, është rritur me 18.5% numri i autorëve të veprave penale në këtë fushë, është rritur me 15.7 % numri i autorëve të arrestuar, ndërsa është ulur me 39.2 % numri i autorëve të larguar në drejtim të paditur. Gjithashtu, janë goditur 48 grupe kriminale të shpërndarjes së narkotikëve, me 216 persona të proceduar penalisht. Ndërsa janë realizuar me sukses 49 operacione me teknika speciale hetimore dhe 29 operacione ndërkombëtare. Duke folur për luftën kundër trafiqeve ilegale, ministri Nishani tha se, gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 661 vepra penale në fushën e trafiqeve ilegale, me 734 autore, nga të cilët 116 të arrestuar, 39 në kërkim dhe të tjerët në procedim në gjendje të lirë sipas vendimit të Gjykatave. Krahasuar me një vit më parë, rezulton së në vitin 2011 ka një rritje të efikasitetit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme, me 186 vepra më shumë të hetuara, tha Nishani. Lidhur me luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore, ministri Nishani tha se, gjatë vitit 2011 janë evidentuar 91 vepra penale me 119 autorë të përfshirë, nga të cilët 29 të arrestuar. Ministri i Brendshem, Nishani nënvizoi dhe arritjet e shënuara në luftën kundër pasurive që rjedhin nga vepimtari kriminale. Sipas tij, në vitin 2011 nga policia janë referuar në prokurorinë e krimeve të rënda 47 raste, nga të cilat janë regjistruar 20. Ndërkohë, janë hetuar 35 procedime pasurore, të mbartura nga një vit më parë. Pasuria e sekuestruar arrin në vlerën 1828 365 lekë. Por, raportimi i ministrit të Bredshëm ka sjellë reagimin e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, të cilët e kanë akuzuar ministrin e Brendshëm se ka dështuar në punën e tij, pasi nuk janë zbuluar vrasje si ajo e deputetit socalist Fatmir Xhindi apo gjyqtarit Skerdilajt Konomi. Gjithashtu, deputetët socialistë kanë kundërshtuar deklaratat e ministrit Nishani për uljen e kriminalitetit në vend, duke theksuar se është rritur pasiguria tek publiku. Deputeti socialist Ilir Gjoni lëshoi akuza ndaj ministrisë së brendshme për shifra jo të sakta të dhëna mbi situatën e kriminalitetit në vend.

Advertisement