Në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë, Ministri i Bujqësisë, Blegtorisë dhe Ushqimit të Republikës Federale të Brazilit, z. Mendes Filho, u prit sot në një takim nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, me të cilin diskutoi mbi rritjen e bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë. Në takimin me homologun shqiptar, z. Mendes Filho tha se qeveria braziliane dhe ministria e Bujqësisë do të mbështesë plotësisht zhvillimin e Shqipërisë. Ministri Filho, duke vlerësuar bashkëpunimin e deri tanishëm, theksoi se e gjen Shqipërinë një vend me potenciale reale investuese dhe zhvillimi ekonomik. Ai u ndal në mënyrë të veçantë në thellimin e bashkëpunimit të sektorëve përkatës privat, në prodhimin dhe importimin e produkteve bujqësore e blegtorale, nga Shqipëria në Brazil dhe anasjelltas. “Ne do të plotësojë çdo kërkesë që do të vijë nga pala shqiptare në lidhje me lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve, përmirësimin e kuadrit ligjor apo dhe shkëmbimin e eksperiencave”, tha ai. Nga ana e tij, ministri Ruli shprehu interesin për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, për produkte bujqësore strategjike. Ruli vuri në dukje se zhvillimi i Brazilit në vitet e fundit është një ndër shembujt më të mirë për t’u ndjekur. “Ky është një rast i mirë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e tregtisë, bujqësisë dhe teknologjive të reja si dhe të mund të konkludojmë marrëveshje mjaft të rëndësishme që i hapin rrugë këtij bashkëpunimi. Marrëveshja që do të firmosim sot është mjaft e rëndësishme për të institucionalizuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona, të shërbimeve veterinare, të autoriteteve të sigurisë ushqimore në lidhje me importet e prodhimeve të mishit dhe prodhimeve të tjera”, tha Ruli, duke theksuar se bashkëpunimi ynë i parashikuar në këtë marrëveshje do të shtrihet dhe me gjerë. Shqipëria importon nga Brazili jo vetëm mish, por dhe produkte të tjera të rëndësishme, si kafja e sheqeri. Disa vjet më parë kemi pasur importe dhe eksporte të vogla, por tani shkëmbimet janë rritur, dhe mendoj që shumë prodhime shqiptare mund të gjejnë vend në tregjet e Brazilit. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimin dhe reformat tuaja, u shpreh Ruli, jemi të interesuar që të marrim sa më shumë eksperiencë, sidomos në fushën e zhvillimit blegtoral, ku Brazili nga dita në ditë po merr një rol të rëndësishëm botëror. “MBUMK, por dhe agjencitë e saj janë të interesuara të kenë bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Brazilit”,tha ai. Më pas dy ministrat nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministrisë së Bujqësisë, Blegtorisë dhe Ushqimit të Republikës Federale të Brazilit “Mbi bashkëpunim në Bujqësi”. Në marrëveshjen e nënshkruar mes dy ministrave përcaktohet që do të ketë ndihmesa dhe angazhim nga të dy qeveritë. Kështu, shkëmbimi i materialeve gjenetike, përmirësimi i i teknologjive bujqësore, shkëmbimi i eksperiencës në blegtori dhe agropërpunim janë ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshje. Ndër të tjera është rënë dakord që ekspertë shqiptarë dhe brazilianë të vizitojnë vendet respektive për të shkëmbyer eksperiencat. Një ndër pikat e marrëveshjes së nënshkruar përcakton që do të ketë forma bashkëpunimi dhe kërkimi me ekspertë të dy vendeve. Këto forma bashkëpunim do të fokusohen në zhvillimin e fermave blegtorale, krijimin e lehtësirave dhe ngritjen e infrastrukturës bujqësore e blegtorale. Shumë shpejt pritet që të organizohen trajnime, seminare dhe konferenca me temë blegtorinë.