Sipas Kryeministrit, sot pas 20 vitesh shqiptarët ia dolën të realizonin ëndrrat e tyre, e djemve dhe vajzave, grave dhe burrave, që rrëzuan me votën e lirë regjimin më të egër diktatorial. “Sot përulemi përpara atyre që kontribuan për shembjen e diktaturës komuniste”, tha Berisha, duke shtuar se “jemi mbledhur sot këtu për të nderuar së bashku 22 marsin e vitit 1992, ditën që ne sot pas 20-vitesh nuk gjen fjalë, por vetëm ato që gufuan nga zemrat tona, ditën e bardhë, ditën e bekuar, ditën më të bukur të jetës sonë, ditën më të madhe pas shpalljes së Pavarësisë”. “Këto dy dekada janë kurorë e lirisë në ballin e çdo shqiptari, janë kurora e bukur e lirisë në ballin e madhërishëm të Shqipërisë. Prandaj edhe unë sot ju ftoj ju dhe mbarë qytetarëve të shprehim nderimin tonë më të madh, të përulemi me respekt të thellë para atyre burrave dhe grave, të cilët përmbysën me votën e tyre të lirë regjimin më barbar që Shqipëria dhe Europa kishte njohur në gjithë histroinë e saj”, theksoi Berisha. “Sot shqiptarët nderojnë 22 marsin, ditën kur u përmbys regjimi më barbar që Shqipëria kishte njohur në historinë e saj”, tha Berisha, duke shtuar se kjo është një datë që shqiptarët i besuan kësaj force politike më shumë se çdo force tjetër në Europën Komuniste. Sipas kryeministrit Berisha, në këto 20-vjet demokraci, Shqipëria ia doli që të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa shqiptarët lëvizin të lirë në të gjithë Europën. “Shqipëria që trashëguam mbulohej nga 700 mijë bunkerë. Vendi që 20 vjet më parë mendohej të mos ekzistonte në hartën politike të Europës, sot është anëtar i NATO-s. Shqipëria 20 vjet më parë ishte rrethuar me tela me gjemba dhe ku u ekzekutuan me qindra të rinj. Sot Shqipëria është atdheu i të rinjve dhe të rejave që lëvizin të lirë pa viza në gjithë Europën. Shqiptarët ia dolëm, ne e kryem”, theksoi më tej Berisha. “Për të gjithë shqiptarët 22 marsi i vitit ’92 është dita e krenarisë, besimit. Shqipëria sot është 20 vjet më larg dhe më lart sesa Shqipëria në të cilën ne jetuam 20 vjet më parë. Shqipëria e bllokmenëve dhe hoxhistëve ishte vendi i ekzekutimeve pa gjyq, vendi i dënimeve kapitale, ndalimi të besimeve tona fetare. Shqipëria që ne ndërtuam në 2 dekada liri është atdhe i zotit e i qytetarëve të lirë, i besimeve të lira fetare, shembull frymëzimi për tolerancën e shkëlqyer”, u shpreh Berisha. “20 vjet më parë shqiptarët tanë në ish-Jugosllavi vuanin terrorin, një komb, një qëndrim ishte motoja jonë. Populli sot është i lirë, krenar, i sigurt në trojet e tij, besuam tek kombi, tek liria, shqiptarët ia dolën, ne e kryem”, tha Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se ato burra dhe gra, që bashkë me tribunin e lirisë, Azem Hajdari, shëmbën diktaturën komuniste, do realizojnë ëndrrën e shqiptarëve, anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Ata, që të udhëhequr nga tribuni i lirisë, Azem Hajdari, shëmbën në Tiranë diktaturën më të egër primitive, ata që i shndërruan shqiptarët në qytetarë të lirë dhe i anëtarësuan në NATO, ata që bënë që shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Europën, janë burrat dhe gratë që me forcën, vizionin, dashurinë për të zhvilluar Shqipërinë Europiane, do të shndërrojnë në realitet ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne do ta kryejmë, zoti e bekoftë Shqipërinë”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Sali Berisha.