Pas 6 orë debatesh të ashpra parlamenti kaloi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhim)”. Kryeministri Sali Berisha, duke mbrojtur draftin e qeverisë, ftoi opozitën të mos kundërshtojë privatizimin e Albpetrolit, pasi përmes tij maksimizohet vlera potenciale e hidrokarbureve. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, kundërshtoi privatizimin në mënyrën e paraqitur, duke deklaruar se buxhetit po i hiqet një pjesë e mirë prej 50 milion dollarësh në vit. Grupi i deputetëve të PS-së votoi kundër projektligjit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence. Sipas opozitës, argumentet e dhëna për këtë privatizim nuk janë bindëse. Gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi me 111 vota p/ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.