Presidenti Bamir Topi dekretoi hyrjen në fuqi të paketës ligjore për anëtarësimin në NATO, të miratuar në seancën e djeshme në kuvend. Duke përshëndetur votimin me unanimitet, presidenti ka theksuar se ligjet e miratuara nga Kuvendi kompletojnë kuadrin ligjor të anëtarësimit të vendit tonë në Aleancën e Atlantikut Verior. Ndër të tjera Presidenti ka konsideruar anëtarësimin e pritshëm të Shqipërisë në NATO si realizimin e një ëndrre integruese. Topi ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë për arritjen e madhe, duke theksuar se ky është një moment historik për vendin tonë, i cili u realizua edhe nëpërmjet vullnetit të partnerëve euroatlantikë.