Tiranë | Bode: reforma e pensioneve, e domosdoshme

alt

Ai tha se me shumë prioritet nuk janë përmasat sociale të një politike fiskale, por eficenca e përdorimit të fondeve për këtë qëllim, ndërsa shtoi se “çështja nuk lidhet thjesht me faktin nëse duhet rritur, apo ulur mosha e pensionit”. “Ne kemi deklaruar se është e domosdoshme një reformë pensionesh dhe jemi të bindur se duhet të jetë nxitëse për pjesëmarrësit në këtë skemë dhe kontribuesit e saj, reformë dinjitoze për përfituesit, që synon të rrisë përfitimet e pjesëmarrësve”, tha Bode. Ministri çmoi se skema e pensioneve nuk është e qeverisë, por e qytetarëve, që kontribuojnë përditë për t’a pasur në shërbim të tyre kur të mos jenë më të aftë për punë. Sipas tij, “çështja nuk lidhet thjesht me faktin nëse duhet rritur apo ulur mosha e pensionit”. “Edhe duke ulur moshën e pensionit, ne mund të ndërtojmë një skemë më eficente në raport me pjesëmarrësit e skemës, mund të merren një sërë masash, që lidhen me numrin e pjesëmarrësve në skemë, me luftën kundër informalitetit në të”, tha Bode. Sipas tij, skema sociale në tërësi lidhet edhe me nevojën që ka hapësira europiane me lëvizjen e lirë të punëtorëve për punësim, çka i jep vlerë fuqisë punëtore, rrit numrin e kontributeve të pjesëmarrësve për ekonominë. Për ministrin Bode, “perspektiva europiane dëshmon se e ardhmja do të jetë pakësim absolut i përvitshëm i numrit të punësuarve. Europa do të shkojë drejt rritjes së moshës së pensionit jo vetëm për të ulur koston sociale, por dhe për të mundësuar që ekonomia të mbështetet në fuqi punëtore të kërkuar për t’u rritur në mënyrë normale”. Ministri i Financave theksoi se diskutohet si t’a bëjmë me eficente përdorimin e kësaj kostoje sociale. “Në Shqipëri janë rritur në mënyrë qënësore fondet për këto skema pensionesh. Nëse 5-6 vjet më parë shuma totale me kontribuesit, bashkë me fondet nga buxheti ishte 54 miliardë lekë, vitin e kaluar kaloi mbi 134 miliardë lekë, pra një rritje në afat të shkurtër shumë të madhe”, tha Bode. Kreu i Financave publike parashtroi nevojën e rritjes së eficencës së fondeve për skemën e pensioneve. “Reforma e pensioneve duhet të synojë pikërisht rritjen e eficencës së përdorimit të këtyre fondeve, që përfituesit që janë në nevojë dhe në moshë të papërshtatshme për të punuar, të mund të marrin para të mjaftueshme për të jetuar në mënyrë normale. Në të kundërt, skema do të mbetet thjesht asistencialiste, sikurse dëshmohet se është aktualisht”, tha Bode.

Advertisement