Familjarë të viktimave dhe persona të mbetur të plagosur në këtë tragjedi, ish-punonjës, kryetari i PS-së, Edi Rama, deputetë dhe përfaqësues të opozitës bënë homazhe në kraterin, ku ndodhi shpërthimi, katër vjet më parë. Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës dha dënimet për të pandehurit e kësaj tragjedie, duke rrëzuar akuzën për vrasje e duke dhënë dënime për shkatërrim prone. Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të familjarëve të viktimave, të cilët akuzojne drejtësinë për dënimet e dhëna. Më 15 mars 2008 dy shpërthime të fuqishme u ndjenë në Gërdec, Marqinet, Gjokaj, Muçaj dhe në qytetin e Vorës, duke shkaktuar dëme të mëdha në njerëz, objekte banimi, biznese, shkolla, qendra mjekësore, në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Në atë kohë Këshilli i Ministrave miratoi vlerën e dëmeve, që shkoi në rreth 25 milion euro. Qeveria akordoi për familjet e dëmtuara 200 mijë lekë për emergjencë dhe 2 milionë lekë për çdo person të humbur.