Në një prononcim për mediat, Rama tha se ditë të tilla shërojnë përkohësisht plagët sociale, ndërsa shtoi se qytetarët e meritojnë të hapin një kapitull të ri transformues me programin e PS-së për një ‘Rilindje Shqiptare’. “Në një ditë si kjo, në një festë popullore, është një moment që lehtëson plagët sociale dhe hallet e përditshme. Qytetarët e meritojnë një rilindje shqiptare, që do të bëjë të mundur që të kenë punësim dhe të paguhen në mënyrë të ndershme”, theksoi Rama. “Qoftë për Elbasanin, qoftë për të gjithë Shqipërinë duhet dhe do të hapim një kapitull të ri transformues për një ‘Rilindje Shqiptare’, që kjo ditë të mos jetë thjesht një ditë e bukur, përmes një rrugëtimi në mjegull dhe në gri, por të jenë ditë brenda natyrshmërisë së një dite të bukur për të gjithë shqiptarët”, theksoi kreu i PS-së. Më pas Rama, i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij dhe deputetë socialistë të qarkut të Elbasanit, vizitoi panairin e Ditës së Verës.