Në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të PS-së, Rama akuzoi kryeministrin për politikë e propagandë antiopozitare, në një kohë që, sipas tij, opozita është përgëzuar nga faktori ndërkombëtar për punën që ka bërë dhe përmbushjen e detyrave të saj. “Me votimin në kohën e duhur të të gjitha kodeve me 3/5 ne e kryem plotësisht detyrën tonë të shtëpisë si opozitë, por statusi nuk mund të vijë si lajm i mirë nga Brukseli nëse nuk plotësohen rekomandimet që kanë të bëjnë me qeverisjen. Loja e fajësimit të opozitës është e fundit që i ka mbetur Berishës, ndërkohë që kush ka sy për të parë e vesh për të dëgjuar e kupton lehtë se shumica e detyrave të parealizuara të listës së rekomandimeve kanë të bëjnë me qeverinë dhe vetëm me qeverinë”, tha Rama. Ai theksoi se në kuadër të ligjeve me 3/5 sfida e radhës është p/ligji “Për gjykatën administrative”, për të cilin, tha Rama, PS, nga muaji nëntor, po punon me një grup ekspertësh për hartimin e një ligji të standardeve ndërkombëtare.