“Mazhoranca nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të negociuar me opozitën. Pra u provua se juve ju mungon vullneti për të dënuar falsifikatorët e statistikave. Ju duhet falsifikimi për të fshehur gropën ku është futur ekonomia shqiptare, për të fshehur varfërinë, për të fshehur borxhin galopant ku po zhytet çdo ditë e më shumë Shqipëria”, tha ai. Ruci deklaroi më tej se kjo qeveri në ikje i ka lënë Shqipërisë si dhuratë fenomenin e pandëshkueshmërisë, përvec borxheve e varfërisë. “Qeveria në ikje e la Shqipërinë në borxh, pa punë, me mjaft plagë sociale, në një gropë të zezë. Dëmin që kishit për të bërë e bëtë. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjit, por nga fenomeni i pandëshkueshmërisë së pushtetarëve. Kur këta nuk ndëshkohen edhe kur vrasin si do ndëshkohen kur falsifikojnë të dhënat”, tha Ruci më tej. Në kundërpërgjigje, nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi është shprehur se mazhoranca është e gatshme të zbatojë marrëveshjen. Ndër të tjera Patozi e ftoi opozitën ta votojë Kodin e ri Penal. “Jeni ju ata që keni bllokuar reformat gjatë këtyre tre viteve, jeni ju ata që keni bllokuar procesin e integrimit. Më thoni cfarë vote do jepni për kodin që të mendoj të kundërtën ”, tha Patozi më tej. Kuvendi miratoi gjithashtu projektvendimin për shtyrjen edhe me dy muaj të mandatit të komisionit të reformës zgjedhore. Afati i punës së këtij komisioni, sipas marrëveshjes PD-PS të 14 nëntorit, përfundonte zyrtarisht sot. Mazhoranca dhe opozita kanë debatuar së fundi lidhur me vonesat në kryerjen e reformës zgjedhore, duke fajësuar për këtë njëra-tjetrën.