Tiranë | Imami: Forcat e Armatosura përballuan sitatën e emergjencës

alt

Ministri Mbrojtjes, Arben Imami i pranishëm të mërkurën në mesditë, në analizën e punës së FA, që u zhvillua në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr, përgëzoi të gjithë forcat pjesëmarrëse në operacion, për përballimin me sukses të kësaj situate të rrezikshme, e cila u kurorëzua pa asnjë të lënduar apo jetë të humbur. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e njeriut”, tha Imami, duke shtuar se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, të Transporteve dhe strukturat e komuniteteve lokale, me një përkushtim të jashtëzakonshëm u bë e mundur që të përballohej pa viktima kjo situatë emergjence”. Ai përgëzoi pilotët e Regjimentit të Helikopterëve që kanë realizuar operacione dhe kanë shpëtuar jetë njerëzore, duke rrezikuar madje dhe jetën e tyre; efektivët e Forcave Tokësore, Beretat Blu, për gatishmërinë që treguan, Brigadën e Mbrojtjes Rajonale, Logjistike që bëri të mundur që gjithë ky operacion i madh të zhvillohej pa anjë lloj problematike. Duke u ndalur në sfidat e FA-së, Imami theksoi se misioni që kryejmë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe misioni për t’i shërbyer vendit në çfardo lloj rasti emergjencash, mbeten prioritet të punës tonë. Ministri Imami kujtoi me mirënjohje të thellë kapiten Feti Voglin. “Nuk mundem sot që ndodhem këtu, në këtë garnizon, të mos kujtoj me një ndjenjë respekti dhe mirënjohjeje të thellë shokun dhe kolegun tuaj, kapitenin Feti Vogli, i cili u edukua, u trajnua, arriti një nivel të lartë profesional dhe të përgatitjes së një personaliteti të shquar njerëzor, pikërisht këtu në këtë garnizon. Le të na shërbejë shembulli i jetës së tij, i profesionalizmit të tij, i trimërisë dhe heroizmit të tij, si një shembull i lartë frymëzimi për t’i shërbyer me devotshmëri dhe besnikëri atdheut tonë”, tha ai. Forcat e Armatosura u angazhuan në operacionin për emergjencat civile në ndihmë të popullsisë së bllokuar nga dëbora nga data 6 deri më 29 shkurt 2012. Gjatë kësaj periudhe strukturat e FA kanë evakuar 53 të sëmurë, hapën 869 km rrugë të bllokuara nga bora, transportuan 112.44 tonë ndihma ushqimore dhe medikamente mjekësore. Nga helikopterët e Bazës Ajrore në Farkë u kryen 133 misione. Forcat e Armatosura angazhuan në operacion 310 forca, 60 mjete të ndryshme dhe 4 helikopterë.

Advertisement