Kreu i PS-së në fjalën e tij tha se sot rinia në Shqipëri është e çoroditur dhe papunësia rinore është pjesa më e thellë e plagës së papunësisë në tërësi. “Universitetet janë kthyer në streha vorfnore të mjerimit akademik, mbushur plot me të reja dhe të rinj, që qeveria i drejton masivisht duke i shtyrë drejt dyerve të universiteteve për të mos u përballur me papunësinë rinore. Kjo politikë është një minë me sahat që shpërthen në duart e çdo të riu, me të dalë nga universiteti”, tha Rama. Ai kritikoi mënyrat si funksionojnë sot universitetet në vend, ndërsa tha se mungojnë financimet në sistemin publik dhe motivimi i trupës pedagogjike. Rama theksoi se sot në shkolla mungon kultura demokratike, mungon meritokracia në emërime dhe bashkëpunimi i shkollës me prindërit. “Mësuesit më shumë se të keqpaguar janë të keqtrajtuar, rrogëtarë të demotivuar që kanë humbur bashkë me autoritetin dhe ambicjen për të kërkuar një drejtim më të mirë të shkollës”, tha Rama. Duke iu referuar sloganit të revolucionit francez të 1789-s, “Liri, barazi, vëllazërim” Rama tha se kjo është shprehja më kuptimlotë për të synuar transformimin e jetës së të rinjve tanë. “Liri për të gjithë pa dallim; barazi mbi dy shina të palëvizshme, nga njëra anë konkurrencë dhe nga ana tjetër vlerësim sipas meritës; dhe vëllazërim mes të gjithëve si normë e bashkëjetesës në komunitet, por dhe si vlerë dhe parim i qeverisjes kombëtare dhe vendore”, u shpreh Rama.