Tiranë | Debate pozitë-opozitë për Reformën Zgjedhore

Kuvendi-i-Shqiperise

Në fjalën e tij kreu i grupit kuvendor të PD-së Astrit Patozi, duke komentuar deklaratat e kryesocialistit Rama, të bëra dje për Reformën Zgjedhore i cilësoi si nisjen e një bojkoti të ri nga ana e opozitës, ndërsa e akuzoi se nuk ka vullnet për të miratuar reformën zgjedhore. Patozi u shpreh, se Rama në vend të propozimeve po provokon. Mazhoranca, sipas Patozit është e gatshme të bashkëpunojë, por nuk mund të pranojë tekat e Ramës. “Në një proces ku si mazhoranca dhe opozita janë në paritet të plotë, secila nga palët kanë të drejta të plota. PD i qëndron marrëveshjes së nëntorit, por nuk mund të pranojmë tekat e Ramës”, tha Patozi më tej. Kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi iu përgjigj akuzave të homolgut të tij Patozi ndaj opozitës, duke theksuar se po cilëson si teka të PS-së rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore. “Ajo që kemi trajtuar në konferencën e kryetarëve është se mungon vullneti politik për reformën zgjedhore, jo për të plotësuar tekat e opozitës por rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Refoma nuk ka ngecur nga tekat e opozitës, por ka ngecur në 5 pika që nuk janë kërkesa të opozitës. Listat e zgjedhësve i kërkon raporti, kartat e identitetit, numërimin, KQZ-në dhe çështjen e Kolegjit Zgjedhor i kërkon raporti i OSBE/ODIHR-it.” deklaroi Ruçi. Sipas Ruçit, opozita ka bërë detyrën e saj dhe ka përmbushur detyrimet për ato që është rënë dakord në marrëveshjen me mazhorancën. “Ato reforma që para pak kohësh ne kemi nënshkruar bashkarisht për një reformë zgjedhore, për rregulloren e Kuvendit dhe për ligjet me shumicë të cilësuar. Opozita ka bërë detyrën e saj dhe brenda marsit ne do të japim kontributin dhe votën tonë.” u shpreh Ruçi.

Advertisement