Gjatë konferencës “Përmirësimi i shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset nëpërmjet projekteve e-Government”, të organizuar nga Ministria e Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, me mbështetjen e Bashkimit Europian, në kuadër të projektit “Mbështetje për infrastrukturën elektronike dhe shërbimeve elektronike në Shqipëri”, si pjesë të programit IPA-2009, Sequi vlerësoi pozitivisht hapat e bërë nga vendi sa i takon dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare, ndërkohë që shtoi se ka ende punë për të bërë. “Taksapaguesit europianë do të investojnë në Shqipëri 3.2 milionë euro, për të mbështetur projektet e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës elektronike në vend, si dhe për t’i dëshmuar asaj se BE është partneri kryesor i Shqipërisë”, tha ambasadori Sequi. Ambasadori i Bashkimit Europian theksoi edhe rëndësinë që dixhitalizimi ka për zhvillimin e një vendi. Sipas Sequi, “kompjuteri nuk pranon rryshfete, pra luftohet korrupsioni. Kompjuteri eviton radhën e tepërt, duke menjanuar kështu humbje të kohës dhe burokracitë e shumta. Po ashtu, kompjuteri është i shpejtë dhe i saktë dhe jo diskriminues”. Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, kujtoi imazhin që qytetarët shpesh kanë për administratën shtetërore – e ngadaltë apo në gjumë – dhe theksoi se “Qeverisja elektronike e zgjon administratën publike”. Ndërkohë, ministri ITIK, Genc Pollo, në fjalën e tij theksoi se Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera sa i takon dixhitalizimit të shërbimeve shtetërore. Sipas tij, Implementimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve QKR dhe QKL, Sistemi i Prokurimit Elektronik, dixhitalizimi i regjistrit civil të shtetasve, sistemi online i tatim-taksave, sistemi online i doganave apo implementimi me sukses i e-kabinetit, i cili po shtrihet ne e-Aktet, e-Parlament, e-president etj, etj, tregon hapat e mëdha që vendi ka kryer në këtë fushë. Sipas Pollos, “qeverisja elektronike tashmë është një realiteti i prekshëm për të gjithë. Ajo përmirëson ndjeshëm jetën e çdo qytetari, duke i kursyer kohën, energjinë dhe duke u kthyer kështu në një motor zhvillimi për vendin”. Magjia e dixhitalizimit në vendin tonë nuk do të përfundojë këtu, theksoi Pollo, duke falenderuar BE-në për mbështetjen, pasi, sipas tij, “ka ende shumë rrugë për të bërë për të qenë në nivele të njëjta me ato të vendeve të familjes së Bashkimit Europian, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë” Pollo informoi se “në godinën e AKSHI-t, po ndërtohet dhe është në përfundim Datacenter Qendror, me standarde të larta të hapësirës, të kushteve për serverat. Kjo do të shërbejë në uljen e kostove, pasi nuk do të jetë më e nevojshme që çdo ministri të ketë serverin e saj, duke e kthyer AKSHI-n në në një nga operatorët kryesorë të shërbimeve elektronike.