“Operacioni i ndihmës për zonat e bllokuara nga reshjet e dëborës ka qenë operacioni i emergjencës më masiv në historinë e vendit i shtrirë nga Alpet e veriut deri në vargmalet e Jug-lindjes së vendit”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se në një kohë rekord janë realizuar lëvizje dhe heqje miliona e miliona metër/kub dëborë nga rrugët e këtyre qarqeve. Në fillimin e dhjetëditëshit të dytë të shkurtit kanë qenë mbi 5 mijë kilometra rrugë të bllokuara. Në një operacion të pandërprerë dhe mjaft intensiv janë zhbllokuar në tërësi përveçse pak kilometra të gjitha akset rrugore në të 4 anët e vendit”. Kreu i ekzekutivit nënvizoi se janë zhbllokuar dhe është garantuar kalueshmëria në rreth 4 mijë km rrugë”. Duke prezantuar arritjet e deri më tanishme mbi hapjen e rrugëve, Berisha tha se janë çelur pjesa më e madhe e akseve rurale për të shkuar në qendër të komunave. “Kanë qenë të izoluara 106 komuna dhe bashki të vendit. Në një operacion të pandërprerë dhe më intensiv janë zhbllokuar të gjitha akset kombëtare. Është garantuar kalueshmëria në rreth 4 mijë kilometra rrugë. Janë nxjerrë nga izolimi rreth 90 komuna dhe bashki. Përsëri janë në izolim komunat e Shalës, Shoshit, Vermoshit, Temalit, etj. Sot janë më pak se 15 mijë banorë të izoluar nga 800 mijë. Sot gjatë ditës po bëhet punë e jashtëzakonshme që të mund të arrihet në komunë e Reçit, të Selishtës, etj”, theksoi Berisha. “Duhet të qartësoj shqiptarët se në këtë operacion, fondet e qeverisë shqiptare për hapjen e rrugëve kombëtare dhe rurale, mirëmbajtja e tyre janë rreth 12 milionë dollarë rreth 1.2 miliadë lekë. Dhe nga fondi prej 40 milionë lekësh, asnjë qindakë s’është përdorur për hapjen e rrugëve rurale, destinacioni i tyre janë rrugët komunale që lidhin fshatrat me qendrën. Në të gjitha komunat janë dërguar pako të ndihmës mjekësore me të gjithë medikamentet. Janë transportuar me helikopterë dhe mjete të tjera, 79 emergjenca. Kryeministri Berisha nënvizoi se deputetët socialistë nuk u lanë të bashkëpunojnë me shtabin e emergjencave, pasi patën një urdhër nga kreu i Partisë, Edi Rama. “Në disa takime me shtabet e emergjencës u informova se asnjë prej deputetëve të PS-së nuk ka qenë aty. Absolutisht kjo ka ndodhur mbi bazën e një urdhri absurd të kryetarit të tyre, duke iu thënë që të mos guxojnë të shkelin në shtabet e emergjencës. Kjo është absurde. Ata nuk kanë munguar në këto takime se nuk kanë dashur. Është tjetër të ligjërosh në televizor, të sulmosh orë të tëra në ekrane dhe është tjetër të presësh me dorë ata njerëz që me shumë mundim kanë dëshmuar burrëri dhe përkushtim të madh”, tha Kryeministri.