Tiranë | PS mbledh komisionin e emergjencave: hartohet plan solidariteti

rama

Të thirrur nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, deputetët e zonave veriore dhe juglindore, si dhe deputetë të cilët kanë marrë pjesë direkt në situata emergjente gjatë qeverisjes socialiste, diskutuan në lidhje me orët dramatike që po përjeton veriu i Shqipërisë. Kreu i opozitës Edi Rama përsëriti se kryetarët socialistë të komunave në zonat veriore, janë të angazhuar bashkë me deputetët për të bërë gjithçka është e mundur, pavarësisht mundësive të tyre të kufizuara. Komisioni ra dakort për hartimin e një plani solidariteti si dhe për një riorganizim transparent dhe një informim në kohë reale për operacionet e ndihmës. U ndanë grupet e punës dhe u hartuan disa masa paraprake në ndihmë të banorëve. Sipas Ramës për këtë duhet një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake. Mungesa e planit nga ana e qeverisë për të përballuar krizën energjitike ishte një tjetër pikë e rëndësishme, e cila u diskuta gjatë takimit të komisionit të emergjencave. Opozita shqiptare është e gatshme të japë kontributin e saj në lidhje me këtë, tha Rama duke shtuar se partia socialiste ka mobilizuar forcat dhe mbështetur përfaqësuesit e saj vendorë në ato zona, së bashku me deputetët e Kukësit, të Dibrës, të Shkodrës, të Librazhdit. Varfëria, mungesa e ndihmës ekonomike, vonesat e pensioneve dhe pagave vonesat e ndihmës sociale, invalidët,gratë dhe fëmijët e pambrojtur e të lënë nën mëshirën e fatit, të tëra këto nuk kërkojnë një angazhim propagandistik, por një por një vullnet për të bashkëpunuar. “Ja pse duhet një solidarizim pa dallim partiak” u shpreh Rama. Që nesër do të detajohen edhe për publikun vendimet që ky komision mori me qëllimin e vetëm për t’i ardhur në ndihmë banorëve të izoluar në veri dhe në juglindje të vendit, që sot po jetojnë orët me dramatike të jetës së tyre.

Advertisement