Tiranë | Ilir Meta kërkon të jetë anëtar i Komisionit të Integrimit Europian

alt

Kreu i LSI-së Ilir Meta e tha këtë përmes një konference për shtyp, ku deklaroi se sot i ka kërkuar kryeparlamentares Jozefina Topalli të bëhet anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, duke nënvizuar se integrimi mbetet sfida kryesore e tij, por jo vetëm. Ai nënvizoi se vizita e Drejtorit të Zgjerimit në KE, Stefano Sannino duhet parë si një mesazh për të përshpejtuar përmbushjen e reformave integruese. Sakaq gjatë konferencës Meta foli për situatën e jashtëzakonshme të motit në vend, ku dhjetëra komuna janë bllokuar për shkak të dëborës së dendur dhe ngricave. Kryetari i LSI-së bëri thirrje që të gjenden të gjitha mënyrat për të përballuar situatën e vështirë në të 30 komunat e izoluara nga dëbora në mbarë vendin, duke saktësuar se duhet bërë çmos për t’iu gjendur pranë banorëve në mënyrë, që ngricat dhe i ftohti të mos marrin jetë njerëzish. Ai u bëri apel të gjithëve të tregojnë solidaritet maksimal dhe t’u vijnë në ndihmë banorëve të bllokuar nga dëbora. Gjatë fjalës së tij Meta përshëndeti ngritjen e Komitetit Ndërqeveritar për Përballimin e Situatës, e lajmëruar nga kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Advertisement