Tiranë | Kryeministri Berisha: vendi nuk do të vuajë mungesën e energjisë

alt

Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha ka pranuar se situata hidrike në vend nuk është në favor të prodhimit të energjisë por garantoi se qeveria do të mbështesë KESH-in për importin e energjisë pavarësisht çmimit. “Ky është një dimër që ka rikthyer në memorien e shqiptarëve ato dimra të dikurshëm, përsa i përket dëborës dhe nga ana tjetër shoqërohet edhe me pakësimin e ujrave në kaskadën e Drinit. Ne do të bëjmë gjithçka që ajo të mos mungojë për shkak të furnizimit. Ne do ta blejmë atë sa kohë do ta gjemë, në mënyrë që vendi të mos vuajë mungesën e saj. Në çdo rrethanë do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit sepse mundësitë e tjera janë ezauruar tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut apo borës në zonën verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulëta historike të tyre” theksoi kryeministri Berisha. Sipas Berishës, situata hidrike është problematike për prodhimin e energjisë, por ai garantoi se nuk do të ketë ndërprerje të saj pasi qeveria vazhdon t`i mbetet principit, se çmimi më i lartë është mungesa e saj. “Situata është jo pak problematike për energjinë elektrike por ne i mbetemi principit që çmimi më i lartë është mungesa e saj. Ne do të mbështesim KESH-in për importimin e sasisë së nevojshme ndërkohë që konsumi ka arritur vlera të mëdha” ka shtuar më tej Berisha.

Advertisement