Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi, u shpreh se BE pret që Shqipëria që të plotësojë 12 prioritetet për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Parlament funksionues, zgjedhje të lira dhe të ndershme, administratë publike meritokratike dhe profesionale, reformë në drejtësi, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sigurim i së drejtës së pronës, të drejtave të njeriut dhe reforma e burgjeve. Këto, janë çështjet prioritare që Shqipëria duhet të adresojë për të marrë statusin e vendit kandidat dhe që ajo duhet të adresojë për të siguruar përmbushjen e aspiratave demokratike dhe europiane të shqiptarëve”, deklaroi Sequi. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, gjatë dy viteve të ardhshme, qeveria shqiptare do të mund të përfitojë nga një total prej 82 milion eurosh ndihmë nga BE në mbështetje të përpjekjeve për përmirësime në fusha strategjike. Më konkretisht, financimi do të shkojë për mbikalimin e Vlorës, rrjetin e rrugëve rurale dhe konkurrueshmërinë e fermerëve, për njësinë e trajtimit të ujit në Velipojë, përfshirjen sociale të komuniteteve rom dhe egjiptian, drejtësinë dhe arsimin profesional.