Tiranë | Debate Topalli-Ruci në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, të premten shqyrtohet imuniteti për tre deputetë

alt

Që në krye të mbledhjes, zonja Topalli theksoi se Prokuroria e Përgjithshme i solli tri dosjet një vit pas ngjarjeve të ditës së zezë të 21 janarit të vitit 2011, duke nënvizuar se Kuvendi ka një vit që pret zbardhjen e hetimeve. “Kemi qenë në pritje të Prokurorisë që të sillte kërkesë që më parë. Dje pasdite erdhi një kërkesë për dhënien e autorizimit për ndjekjen penale të tre deputetëve të Partisë Socialiste Taulant Balla, Tom Doshi, Besnik Bare”, tha Topalli. Ajo nënvizoi se në bazë të rregullores së Kuvendit, tashmë deputetët do të njihen me dosjet përkatëse dhe Këshilli i Mandateve brenda katër javësh do të vendosë për dhënien e autorizimit për ndjekjen penale të tre deputetëve. Sipas Topallit materiali i dosjeve lexohet shumë shpejt, duke akuzuar socialistët se e meritojnë të rrinë pa gjumë pasi sulmuan institucionet. “Sot kjo mbledhje është thirrur për t’u njohur me dosjet e sjella, ndërsa më pas deputetët do të thirren njëri pas tjetrit në seanca të veçanta për t’u dëgjuar. Edhe në këtë rast, si më i veçantë, Kuvendi do t’i japë mundësinë Prokurorisë që të hetojë ngjarjet e asaj dite të zezë të 21 janarit. Duhet të përcaktojmë relatorët. Që nesër të nisim të thërrasim një për një deputetët për t’i dhënë mundësi të japin shpjegimet e tyre. Nesër në orën 11.00 të nisim me deputetin e parë”, tha Topalli. I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi i cili kërkoi kohë, duke deklaruar se deputetët e opozitës duhet të disponojnë materialet voluminoze dhe duhet t’u jepet koha e duhur të njihen me to dhe më pas të vendoset relatori e të thirren në Këshillin e Mandateve. Ruçi akuzoi mazhorancën se është ajo që ka fshehur provat e 21 janarit, duke kërkuar këtu edhe heqjen e imunitetit të Sali Berishës, si personi që ka dhënë urdhër për vrasjen e demonstruesve. “Nuk duhet të bëni interpretime posa të nisë seanca, duke thënë se u gjet fajtori. Që nga 21 janari deri më sot se PS ka deklaruar se është për një hetim të plotë e të paanshëm. Dhe meqë këtu kemi të bëjmë me tre politikanë, sigurisht s’kemi asnjë vërejtje për tre kolegët tanë, se jemi të qartë se veprimtaria jonë dhe e tyre ka qenë në përmbushje të plotë të ligjeve dhe një e drejtë kushtetuese e protestës. Duhet të kishte një radhë dhe radha nis nga ata që urdhëruar vrasjet, që ishin Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha”, tha Ruçi.

Advertisement