Ajo tha se Prokuroria ka kërkuar ndaj Ndrea Prendit, Margarit Kumes shoferi i Prendit, dhe ndaj Armando Kasës, shefi i IT-së në Kryeministri masën e arrestit me burg. “Nga aktet e ekspertimeve balistike në Tiranë dhe FBI rezulton se nga pistoleta tip beret e Ndrea Prendit janë realizuar 11 qitje drejt turmës dhe pikërisht arma e tij ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, ndërsa të shtënat e tjera përfunduan në pemët dekoruese. Duke përfituar nga detyra, Prendi ka ndërruar tytën e tij me tytën e Margarit Kumes dhe ka dëmtuar një pjesë të pistoletës së tij duke dashur të pengojë verifikimin se plumbat e dalë nuk i përkasin pistoletës së tij. Kjo është edhe arsyeja pse Kume hetohet për pengim të zbardhjes së krimit”, u shpreh Rama. Më tej ajo tha se edhe shefi i IT-së në Kryeministri Armando Kasaj ka fshirë pamjet filmike, vetëm pak pas protestës. Rama tha se, janë kopjuar të dhënat e regjistruara nga serveri duke i hedhur në një pajisje të ngjashme me ato ekzistuese, ndërsa në momentin që kanë ndodhur ngjarjet kanë qenë në punë 11 kamera. Ajo theksoi se filmimet e regjistruara nuk u vunë dhe nuk janë vënë ende në funksionim të sistemit të drejtësisë ndërsa pajisjeve u janë bërë formatim duke u fshirë gjurmët. Sipas saj, Kasaj hetohet pasi ka penguar në zbulimin e të vërtetës, dhe se tre personat e sipërpërmendur konsiderohen me rrezikshmëri tepër të lartë. Ndërsa duke iu përgjigjur gazetarëve për bashkëpunimin e pretenduar mes saj dhe kryesocialistit Edi Rama, Ina Rama tha se roli i saj në 21 janar ka qenë vetëm ai i kryeprokurores dhe asnjë rol tjetër.