Sa më shumë e përdorin, aq më shumë ata kanë tendencë për të besuar se të tjerët janë më të lumtur se ata dhe kështu nënvlerësojnë jetën e tyre. Fotot e zgjedhura me kujdes nga njerëzit për t’i vënë në Facebook që të duken sa më mirë mund të përcjellin në fakt, mesazhe me efekte shumë negative për të tjerët. Për këtë studim janë intervistuar 425 studentë dhe janë pyetur nga sociologët Hui Tzu, Grace Chou dhe Nicholas Edge për lumturinë e tyre dhe atë të miqve të tyre. Kërkuesit dolën në përfundim se ata që shpenzonin më shumë kohë në Facebook ishin të mendimit se jeta e të tjerëve ishte më e bukur. Kjo vihej re sidomos tek ata të rinj të cilët në listën e tyre të miqve kishin njerëz që nuk i njihnin fare. Nga ana tjetër, ata të cilët shpenzonin më shumë kohë duke ndenjur me miqtë e vërtetë dhe shumë pak kohë në Facebook ishin më optimistë sepse e kuptonin që të gjithë kanë uljet dhe ngritjet e tyre. Chou argumenton se të parit e fotografive të gëzueshme të të tjerëve në Facebook i jep përshtypjen njerëzve se miqtë e tyre virtualë janë gjithmonë të gëzuar dhe të lumtur.
Ndërkohë pasi arriti 800 milion “miq” shtatorin e shkuar, Facebook po përgatitet të arrisë shifrën prej 1 miliard. Sipas Garry Lyons, analistit të agjensisë së marketingut iCrossing, kjo do të ndodhë në verën e këtij viti, më saktësisht në gusht. Kur kjo shifër të arrihet personat e regjistruar në Facebook do të jenë baraz me 1/7-ën e popullsisë së planetit. Lyons e ka bazuar këtë projeksion mbi rritjen e Facebook-ut që prej Dhjetor 2006-ës.