Tiranë | Meta: avokati Braho ka një video që tregon kush ndërhyn në drejtësi

alt

Ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi për gazetarët se rezultati i vendimit të Gjykatës ishte 5 me 0, duke nënvizuar se një sipërmarrje e re funerale si kjo e organizuar në mes të Tiranës ishte një investim i shëmtuar dhe i pavlerë. Kreu i LSI-së theksoi se drejtësia në Shqipëri ka shumë probleme, por ai nënvizoi se për reformimin e saj duhet politikë transparente. Ish-zëvendëskryeministri Meta theksoi se askush nuk ka ndërhyrë tek drejtësia për vendimin ndaj tij. “Unë e ftoj Edin duke nisur nga sot dhe kur të dëshirojë të dalim para shqiptarëve dhe ai të flasë e të japë prova e të japë fakte, letra për kapjen që mund t’i jetë bërë Gjykatës, Prokurorisë, për çështjen Meta. Unë i siguroj shqiptarët se do ta dëgjoj me vëmendje”, tha Meta. Ai bëri me dije se videopolitikën në jetët e të gjithëve e vuri në jetë Edi Rama. Këtu ai lajmëroi se avokati i tij Spartak Braho ka një video që sqaron se kush ndërhyn vërtet tek Drejtësia. “Unë vetë nuk kam video, por avokati i madh dhe prokurori i përhershëm Spartak Braho ka diçka, e cila do të jetë në të mirë të zbardhjes së kësaj çështjeje. Pas vendimit të gjykatës së Lartë, Braho ka ditë që kërkon edhe zonjën Rama që ta ndihmojë në këtë çështje”, bëri me dije Ilir Meta, duke ftuar drejtuesit e emisionit Fiks fare të transmetojnë këtë video të re. Gjatë prononcimit Meta tha me keqardhje se FRESSH ka kohë që nuk ekziston, duke e cilësuar këtë si një arsye të keqpërdorimit të saj për ceremoni të tilla të papranueshme funerale të gjoja varrosjes së Drejtësisë. Në këto kushte Meta e akuzoi Ramën se kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës i la varrezat në gjendje mjerane, duke bërë me dije se Edi Rama e ka hallin se me humbjen e bashkisë humbi bankën që e financonte. “Do të ishte shumë mirë që miku ynë i dashur Edi të kërkonte falje për gjendjen mjerane, në të cilën la varrezat”, tha Meta.

Advertisement