Tiranë | Nisin zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë

Kuvendi-i-Shqiperise

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një seancë të veçantë përkujtimore që shënon nisjen e festimeve të ditëlindjes së 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë. Ceremoninë, ku morën pjesë deputetë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, e hapi Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja Topalli gjatë fjalës së saj theksoi se kombi shqiptar e ka jetuar dy herë ngritjen e flamurit, një në 1444-ën, në 1912-ën dhe më pas u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Zonja Topalli deklaroi se sot celebrohet ditëlindja e madhe kombëtare. “Ne këtë vit nderojmë të lirë ngritjen e flamurit në Vlorë. Në historinë tonë kombi ka festuar ditëlindjen dy herë, e para në 1444-ën dhe 1912-ën, për të mbërritur në pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008”. Ajo nënvizoi se gjatë tërë shekujve, gjatë Rilindjes, luftërave për pavarësinë e vendit, në Lidhjen e Prizrenit dhe deri në ditën e shënuar kur u ngit flamuri kuq e zi në Vlorë, ideali i shqiptarëve ishte bashkimi i shqiptarëve. “Shqiptaria evokonte gjithmonë Skënderbeun. Ideali dhe qëllimi i shenjtë i Skënderbeut ishte bashkimi i shqiptarëve. Feja e shqiptarëve është Shqiptaria. Edhe pas vdekjes së tij, ideali i shenjtë ishte liria e trojeve shqiptare. Përkujtojmë të njëjtin flamur si simbol i të gjithë shqiptarëve, kudo ku ndodhen, se ai është një dhe i vetmi, pasi ai përmbledh kujtimet e një kombi që i ndjen çdo zemër shqiptare”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja Topalli tha në Kosovë pavarësia u kry, katër vite më parë, duke theksuar se në këtë ditë të shënuar kujtohen të gjithë ata që dhanë jetën për flamurin shqiptar, dhe që do të kenë një vend në altarin e kombit tonë përjetësisht.

Advertisement