Në qëndrimin e saj PDIU shprehet se protesta e Vetëvendosjes është një e drejtë legjitime për të sjellë reciprocitetin, duke përshëndetur deklaratën e Albin Kurtit për protestë paqësore. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU, Ardit Bido theksoi se protesta duhet të jetë paqësore deri në fund dhe se duhet të ruhet imazhi i kombit shqiptar, si komb paqedashës. “Protesta në fjalë do të zhvillohet në mënyrë simbolike në pikat kufitare dhe duke qenë se e drejta për tu organizuar në tubim është një e drejtë themelore e njeriut, ideja e Lëvizjes Vetëvendosje është diçka krejt normale. Ndërkohë vlen për tu theksuar se ajo mbështetet në një kauzë të drejtë dhe po kryhet si nismë e një partie politike, e cila ka ftuar të përfshihen në protestë dhe grupet e interesit të prekura nga mungesa e reciprocitetit me Serbinë e që janë bujqit shqiptarë të Kosovës”, u shpreh Bido. PDIU përshëndeti edhe ftesën e drejtuar për të rinjtë shqiptarë nga Shqipëria të marrin pjesë në këtë protestë, duke theksuar se kjo ftesë i jep kësaj proteste karakter mbarëkombëtare dhe se protesta ka për qëllim që të rrisë vetëdijen për fatin e prodhimeve vendase, për zhvillimin e industrive vendore, për shkëputjen nga varësia e prodhimeve serbe, prandaj është për t’u përshëndetur dhe shkon në një linjë me objektivat e PDIU-së. “Në këtë kuptim retorika apo qëndrimet e forta që rrisin tensionin, nga të gjitha anët që vijnë, përfshi dhe nga Shqipëria janë të shpërpjesëtuara. Ne duam shumë të besojmë se ky karakter paqësor i protestës do të ruhet deri në fund dhe të gjitha palët të ruajnë gjakftohtësinë. Ne si parti institucionale besojmë se krahas kësaj proteste, duhet të shterohen të gjithë rrugët ligjore brenda institucioneve të Kosovës, të cilat kanë përgjegjësinë për politikat ekonomike apo vendimmarrjen mbi to”, u shpreh Bido.